Ashtu si në përralla, Arminia Bielefeld vë në jetë një mrekulli të vërtetë, shkruan historinë duke siguruar një biletë për në finalen e Kupës së Gjermanisë. Për ta bërë edhe më të bukur këtë kualifikim historik, Arminia eliminoi as më shumë e as më pak, por Bayer Leverkusen.

Në letër, ky takim dukej një lojë fëmijësh për ekipin e Alonsos, fundja përballë kishin një skuadër që militon në divizionin e tretë gjerman, por ja që në futboll mund të ndodhë gjithçka. Në fakt, Leverkusën ishte vetëm “viktima” e radhës, pasi më herët, Arminia kishte likuiduar edhe ekipe si Hannover, Union Berlin, Friburg dhe Werder Bremen. Ky eliminim vërteton edhe një herë momentin e vështirë që po kalojnë “Aspirinat, tensioni është i dukshëm teksa pas ndeshjes edhe Xhaka u kap me tifozët.

Arminia nuk vodhi asgjë, madje tregoi karakter duke përmbysur kampionët në fuqi, për më tepër brenda pjesës së parë. Tah kaloi Leverkusen në avantazh në minutën e 17-të, teksa i vetëm në shtyllën e dytë e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë. Festa nuk zgjati shumë pasi 3 minuta më vonë, Worl barazoi shifrat në 1-1. Në fundin e pjesës së parë, në shtesë, Armania befasoi sërish Leverkusen duke përmbysur rezultatin.

Në fraksionin e dytë, ekipi i Alonsos provoi në çdo formë të shmangte këtë eliminim, por pa sukses, madje në disa momente, Armania i shkoi shumë pranë edhe golit të tretë. Në fund, festa ishte e gjitha për tifozët e Bielefeld të cilët shijuan në maksimum këtë kualifikim historik.

Të eliminohesh në këtë formë, kundër një ekipi modest, rëndon shumë mbi Alonson dhe ekipin e tij: “Sigurisht që jemi të zhgënjyer, por më duhet t’i bëj komplimente edhe Arminia Bielefeld. Ata luajtën shumë mirë, ishin superiorë në gjithçka. Ne luajtëm keq, bëmë shumë gabime individuale, nuk funksionoi asgjë, për këtë arsye jemi të mërzitur,” u shpreh Alonso pas ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb