MAT- Prokuroria e Matit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-agjentin postar të Postës Shqiptare, pasi akuzohet se u ka vjedhur 90 personave pensionin e invaliditetit. Bëhet fjalë për Skënder Xhomarën, i cili akuzohet se u ka marrë këtyre personave pagesat e invaliditetit për muajin nëntor të vitit të kaluar.

Pasi ka marrë rreth 1.2 milionë lekë të reja nga filiali i postës Mat për t’i shpërndarë tek përfituesit që banonin në fshatrat e komunës Rukaj, i pandehuri është larguar drejt Italisë me shumën e lekëve të vjedhura. Pak para se të nisej për në Itali, i pandehuri i ka telefonuar një mikut të tij, ku i ka kërkuar që në makinën e tij të merrte disa dokumenta dhe t’ia dërgonte shefit të financës të filialit të Postës.

Pasi dokumentacioni u administrua nga filiali, rezultoi se për muajin nëntor ishin paguar vetëm 6 persona, të cilët përftonin pensionin e paaftësisë, ndërkohë që pjesa tjetër e parave nuk ishte kthyer nga i pandehuri.

Pasi u konstatua vjedhja, drejtuesit e filialit të Posta Shqiptare, Mat, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër ish-punonjësit Xhomara. Prokuroria zhvilloi hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën kundër shtetasit Skënder Xhomara, i akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Ndaj Xhomarës është në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: