BERAT

Njëzetë e dy vjet pas masakrës së Urës Vajgurore, ku nga përleshjet me armë mes policisë dhe bandave u vranë 4 efektivë policie dhe u plagosën 5 të tjerë, sot eshtrat e policit të vrarë në krye të detyrës, Arjan Shemunit, u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve të Beratit.

Gazetarja Eneida Petova raporton pwr “Balkanweb” se që nga sot, eshtrat e efektivit të vrarë,27-vjeçarit Arjan Shemuni,do të prehen në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, pranë shokëve të tij të vrarë në këtë masakër: Asllan Selami, Ilija Banaj dhe Milto Koço.

Në ceremoninë e organizuar sot për varrimin e eshtrave të dëshmorit në Varrezat e Dëshmorëve Berat, kanë qenë të pranishëm drejtues të lartë dhe punonjës të DVP Berat, përfaqësues të institucioneve vendore, familjarë dhe miq të dëshmorit Arjan Shemuni.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat, Hasan Ahmetaj, ka shprehur në fjalën e tij solidaritet dhe mbështetje për familjen e dëshmorit Arjan Shemuni, që me uniformën e policisë së shtetit u përball heroikisht me shkelësit e ligjit dhe mbeti i vrarë në krye të detyrës.

Drejtori Ahmetaj ka pohuar se kanë kaluar 22-vjet nga dita kur bandat famëkeqe, që kishin pushtuar Beratit, i bën pritë autoblindës së policisë dhe shkëmbyen zjarr me ta në qendër të Urës-Vajgurore, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit u vranë 4 efektivë policie dhe u plagosën rëndë 5 të tjerë. Pasi foli për punën e palodhur të tij në radhët e policisë së shtetit, drejtori Hasan Ahmetaj kërkoi të mbahej një minutë heshtje në nderim të dëshmorit të atdheut.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Familjarë të dëshmorit Arjan Shemuni, shprehën mirënjohje dhe falënderim për Ministrinë e Brendshme dhe institucionet përgjegjëse, që bën të mundur prehjen e eshtrave të vëllait të tyre të shtrenjtë në Varrezat e Dëshmorëve.

Motra e dëshmorit të atdheut Mimoza Ismaili ka pohuar se ky është një nder dhe një vlerësim për familjen që sot po përjeton një dhimbje të madhe. Ajo pohon se që nga sot, vëllai i saj do të prehet pranë shokëve të tij, në vendin që i takon.

Arjan Shemuni lindi në 16 Gusht 1971 në fshatin Malas-Breg në Urë-Vajgurore,në 16 Prill 1997 ai u fut në radhët e policisë së shtetit dhe ishte efektivë i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Berat.

Në 17 Qershor 1997,ditën kur ndodhi edhe masakra,ai ishte caktuar me shërbim sigurinë e rendit dhe qetësisë publike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Urë-Vajgurore, ku ai dhe shumë efektivë të tjerë policie ranë në pritë të bandave dhe luftuan heroikisht me ta për disa orë. Gjatë kësaj masakre u vranë efektivët: Arjan Shemuni,Asllan Selami, Ilija Banaj e Milto Koço, ndërkohë që mbetën të plagosur rëndë 5 efektivët e policisë: Thimi Tangu,Neim Gjeroveni, Ëngjëllush Pasha,Ylli Dhana dhe Arben Bega.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb