Fredi Beleri kërkon të marrë pjesë në seancën e parë të Parlamentit Europian. Beleri është një nga eurodeputetët e Nea Demokracia, partisë së Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Gazetarja Klodiana Lala bëri të ditur për Balkanweb se Fredi Beleri i ka drejtuar një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e Parlamentit Europian që do të mbahet më 15 korrik.
Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, ndërsa u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Gjithsesi arrestimi nuk e pengoi Belerin që të fitonte Bashkinë e Himarës, por detyrën e Kryebashkiakut që nuk arriti ta ushtronte pasi nuk u lejua nga shkallët e gjyqësorit shqiptar që të betohej, sikundër përcaktohet në ligj, para Këshillit Bashkiak.
E ndërsa ka humbur funksionin si Kryebashkiak për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe në 4 gusht pritet të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Beleri si eurodeputet kërkon të marrë pjesë në seancën e parë të Parlamentit Europian. Nuk dihet nëse do të lejohet ose jo, por ky është precedenti i parë për rastin e Shqipërisë, që një personazh i dënuar, është eurodeputet.