Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me vdekjen e 34-vjeçarit Alban Pashollari, i cili humbi jetën mbrëmjen e së premtes në ujërat termale te llixhave të Elbasanit. I riu u gjet pranë një rezervuari të mbushur me ujë termal në gjendje të rëndë shëndetësore. I riu, banues në Tiranë, ka humbur jetën gjatë transportimit me autoambulancë, për në spital.
Gazetari Fatmir Popja raporton për BalkanWeb se viktima bashkë me shokun e tij nuk ishin klientë në hotelin ku ndodhi ngjarja.
Mësohet se ata ishin futur në mbrëmje të dy në pishinën e madhe të hotelit dhe më pas 34-vjeçari kishte hyrë në pishinën e vogël. Thuhet se pikërisht në këtë pishinë i riu ishte gjetur i asfiksuar nga personi që e shoqëronte. Dyshohet se dy të rinjtë kanë qenë nën efektin e alkoolit kur janë futur në pishinat me ujë termale, duke sjellë edhe tragjedinë e rëndë.
Ndërkohë, dy qytetarë që ishin në hotel u bënë dëshmitar të ngjarjes, ndërsa treguan se kishin dëgjuar britma që vinin nga jashtë. “Dëgjuam britma jashtë gjatë kohës që ishim në gjumë. Kur u ngritëm, dolëm dhe pamë që një i ri ishte në gjendje asfiksie te njëra nga vaskat.”, thanë dëshmitarët për gazetarin Fatmir Popja.
(BalkanWeb)