Hije skandali në procesin ndaj Saimir Tahirit. Trupa gjykuese e cila po shqyrton akuzat penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm informoi ne seancë gjyqësore se në dosjen voluminoze mungonin disa fashikuj.

Bëhet fjalë për aktet e përkthimit nga italishtja në shqip të dëshmive të Moisi Habilajt, Nezar Seitit dhe Meridian Sulajt, përkatësisht kreut dhe dy anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit dyshohet të jetë edhe Tahiri.

Habilajt dhe miqtë e tij dëshmuan në prokurorinë e Katanias, për llogari të procesit hetimor të celur në Shqipëri ndaj Tahirit dhe dokumentat ne gjuhën italiane, sikurse relatoi gjykata ndodhen në dosje, ndërsa mungojnë përkthimet. Me qëllim që prokurorët të bënin verifikimet përkatëse, gjykata e ndërpreu procesin për disa minuta.

Në rinisje të seancës përgjigjja e prokurorëve, ishte e papritur dhe u bë objekt për debat mes palëve.

Ata deklaruan se nuk i disponojnë përkthimet, por pretendimet e tyre u rrezuan nga avokati Maksim Haxhiaj, që mbron interesat e ish ministrit. Duke iu referuar akteve në dosje, avokati lexoi shkresat e përcjella nga Ministria e Drejtësisë, përmes të cilave provohet fakti se materialet janë përkthyer në gjuhën shqipe. Ai nuk hezitoi ta cilësonte këtë si një manovër të prokurorisë.


Ish-numri një i Ministrisë së Brendshme në një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancës gjyqësore tha se është absurde dhe qesharake që kanë humbur letrat, me të cilat do të bëhej arrestimi i tij, ndërsa shtoi me ironi se dhe një çerdhe është më e organizuar.

Ju jeni dëshmitar që ky proces është shtyrë për të tretën herë. Herën e parë sepse letrat që kishte sjellë posta ishin të grisura, herën e dytë për shkak të policisë se kishte humbur letra, ndërsa herën e trete për shkak të Prokurorisë. Unë nuk e di sesi m und të humbasin letrat në Prokurori, kur ka një protokoll.

Unë nuk e di se çfarë serioziteti është ky, kur letrat që kërkohet arrestimi im në parlament, vjen sot Prokuroria dhe thotë kanë humbur. Kjo është qesharake. Nuk e di nëse është e qëllimshme. Kush ka qëllim për zvarritje, paska gjetur mënyrën e humbjes së letrave. Unë shpresoj që të jetë mungesë vëmendje a nuk di çfarë emri t’i vendosë. Unë heq dorë, mjafton që gjyqi të mos shtyhet. Heq dorë nga gjithçka, mjafton të mos shtyhet gjyqi. Letrat që unë do të arrestohesha janë zhdukur. E gjitha është qesharake. Nuk ndodh në dyqan të humbur, jo më Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Është qesharake, është skandaloze”, tha Tahiri.

Saimir Tahiri theksoi se është gati të heq dorë nga provat që janë në favor të tij, mjaft që gjyqi të mos shtyhet.

“Unë i kam shkruar letër drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo thotë se letra është e saktë. Unë dua që gjyqi mos të shtyhet, kjo ka rëndësi. Ky shtet nuk mund të jetë kështu. Kur ndodh me mua, vaj halli se çfarë ndodh me njerëzit. Unë di të them se është e shëmtuar kështu si po ndodh. Është tmerr që të ndodhë që në një proces kaq mediatik të humbin shkresa, kur kanë dalë në media. Kur i ka media, nuk i paska Prokuroria? Unë thashë: Unë dua të bëhet gjyqi. Jam gati të heq dorë edhe nga provat që janë në favorin tim, mjaft që gjyqi mos të shtyhet”, tha ai.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-numri një i policisë së Vlorës, Jaeld Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Tahiri i ka mohuar akuzat, ndërkohë që ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet prej një viti e gjysmë në arrati së bashku me dy drejtues të tjerë të policisë lokale, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane, teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt vendit fqinj. Po në vjeshtën e vitit 2017, në Babicë të Vlorës, në magazinën e të dyshuarit Armando Koçerri u gjetën dhe sekuestruan rreth 4 tonë cannabis sativa, episod ky që u shoqërua me procedim penal edhe në Shqipëri. Çështja penale ndaj ish-ministrit Tahiri filloi në tetor 2017, pas publikimit të disa përgjimeve të anëtarëve të grupit “Habilaj”, të cilët përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb