Sirisë do t’i duhen deri në katër vjet për mbajtur zgjedhje, tha udhëheqësi de fakto i vendit, Ahmed al-Sharaa, gjatë një interviste që transmetohet të dielën. Kjo është hera e parë që ai jep një kohë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve që nga rrëzimi nga pushteti i Bashar al-Assadit këtë muaj.

Hartimi i një kushtetute të re mund të zgjasë deri në tre vjet, tha Sharaa, bazuar në pjesë të publikuara prej intervistës së tij me transmetuesin shtetëror saudit ‘Al Arabiya’. Intervista do të transmetohet të dielën në mbrëmje.

Ai tha gjithashtu se do të duhet rreth një vit që sirianët të shohin ndryshime drastike.

Komentet nga Sharaas, i cili drejton grupin ‘Hayat Tahrir al-Sham’ që rrëzoi Assadin nga pushteti më 8 dhjetor, vijnë ndërsa qeveria e re në Damask, po kërkon të sigurojë fqinjët e saj se është shkëputur nga rrënjët e saj të dikurshme që e lidhnin me militantët islamikë.

Fushata e rrufeshme e grupit i dha fund luftës civile 13-vjeçare, por ka ngritur një mori pyetjesh në lidhje me të ardhmen e vendit shumetnik, prej dekadash nën sundimin autoritar të familjes Assad, dhe ku vendet e huaja, mes tyre Turqia dhe Rusia, kanë interesa të forta e që përplasen me njëra-tjetrën.

Ndërsa fuqitë perëndimore në masë të madhe e mirëpritën fundin e sundimit të familjes Assad në Siri, mbetet e paqartë nëse grupi do të imponojë një sundim të rreptë islamik apo do të tregojë fleksibilitet, e do të shkojë drejt demokracisë.

Sharaa tha se ‘Hayat Tahrir al-Sham’, i njohur më parë si Fronti Nusra, do të shpërbëhet.

Grupi ka qenë dikur i lidhur me Shtetin Islamik dhe Al-Kaedën, por duket se ka hequr dorë prej tyre, dhe ka kërkuar të ripozicionohet si një forcë e moderuar.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se statusi i bazave ushtarake ruse do të jetë objekt i negociatave me udhëheqësit e rinj të Damaskut.

Sharaa tha gjithashtu se shpresonte që administrata e Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, të hiqte sanksionet e vendosura ndaj Sirisë. Diplomatët e lartë amerikanë që vizituan Damaskun këtë muaj thanë se Sharaa shihet si pragmatist dhe se Uashingtoni kishte vendosur të hiqte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e tij./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: