Abdullah Oçalan, udhëheqësi i burgosur i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK-së, një parti e shpallur jashtë ligjit në Turqi, thotë se është i gatshëm të kontribuojë për paqen mes turqve dhe kurdëve, në një deklaratë të lëshuar nga partia pro-kurde DEM të dielën.

“Kam kompetencën dhe vendosmërinë e nevojshme për të kontribuar pozitivisht në frymën e re të mbështetur nga zoti Bahçeli dhe zoti Erdogan”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe aleatit të tij nacionalist, Devlet Bahçeli, udhëheqës i Partisë Lëvizja Nacionaliste.

Oçalan po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në ishullin Imrali pranë Stambollit që nga viti 1999, pasi u dënua për tradhti. PKK-ja ka luftuar për një shtet autonom në juglindje të Turqisë që nga viti 1984, në të cilën janë vrarë dhjetëra mijëra njerëz. Grupi është shpallur organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.

Devlet Behçeli, i cili ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj PKK-së, habiti të gjithë në tetor kur sugjeroi në parlament se Oçalani mund të lirohej me kusht nëse ai hiqte dorë nga dhuna dhe shpërndante PKK-në. Erdogan ofroi mbështetje të heshtur për aleatin e tij një javë më vonë. Në atë kohë vetë Oçalani kishte thënë se ishte gati të punonte për paqen në një mesazh të përcjellë nga nipi i tij.

Dy anëtarë të lartë të DEM-it, ose Partisë për Barazi dhe Demokraci të Popullit, Pervin Buldan dhe Sirri Sureyya Onder u takuan me Abdullah Oçalanin në objektin e burgut të shtunën. Takimi ishte i mbyllur për shtypin dhe nuk u publikuan detaje e tij deri ditën e nesërme. Deklarata një faqe e së dielës përmend pikat kryesore të asaj që u diskutua në takim, përkatësisht një thirrje për të gjitha palët që të punojnë së bashku për paqen.

“Kjo është një epokë paqeje, demokracie dhe vëllazërimi për Turqinë dhe rajonin”, thuhet në rreshtin e fundit të deklaratës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: