Nga: SHABAN MURATI*

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është në metrat e fundit të vrapit të tij drejt postit të presidentit të Kosovës. Por në këtë vrapim drejt postit më të lartë të kryetarit të shtetit, ai ka lënë hapur një dollap, real apo virtual, i cili ka brenda një skelet të madh, që e drithëron çështjen kombëtare. Bomba, që shpërtheu muajin e kaluar ish-drejtori i shërbimit të fshehtë francez, Pierre Siramy, me deklaratën se zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është agjent i Francës, ngjall dy pyetje të menjëhershme.
E para, si është e mundur që një ish-drejtor dhe jo nëpunës apo operativ i thjeshtë, i shërbimit të fshehtë të një shteti të madh me politika kontinentale, djeg kaq lehtësisht emrat e agjentëve të Francës. Mund të jetë hera e parë në historinë e shërbimeve sekrete europiane që një ish-drejtor, me lehtësinë më të madhe lëshon në publik identitetin e një agjenti të rëndësishëm të shtetit të vet në një shtet tjetër, ku mban aktualisht postin e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm. Kjo është një shkelje e rëndë e betimit, e rregulloreve, e platformave shtetërore dhe e ligjeve të shtetit francez dhe për një shkelje të tillë në çdo shtet demokratik, shkelësi përfundon në burg, sepse ka cenuar interesat e sigurisë kombëtare të Francës. Ish-drejtori mund të jetë vërtet në pension, por ai është nën betim gjithë jetën dhe politikani, që ai pretendon se është agjent i Francës, ndodhet në postet më të larta të një shteti tjetër.
Opinioni publik ndërkombëtar është i njohur nga mediat, libri dhe filmi, me rastin e Valerie Plame, bashkëshortes së ish-ambasadorit amerikan në Irak, të cilës shefi i kabinetit të presidentit Xhorxh Bush dhe një gazetare amerikane i publikuan identitetin si agjente e CIA-S dhe përfunduan në burg edhe shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, edhe gazetarja, e cila pas burgut u detyrua të lërë edhe vendin e punës në gazetën “New York Times”. Nuk ka informacion nëse prokuroria franceze ka ndërmarrë hapat përkatëse për hetimin e deklaratës së mësipërme të ish-drejtorit të shërbimit të fshehtë, që djeg pa të keq agjentët e vet të lartë nëpër botë. Nuk ka informacion as nëse ministri i Jashtëm apo Ministria e Jashtme e Kosovës ka ndërmarrë ndonjë përçapje ligjore apo diplomatike pranë organeve zyrtare franceze lidhur me këtë situatë. Edhe po të marrim variantin se ish-shefi i shërbimit sekret francez nuk thotë të vërtetën, por shpif apo për arsye të tij personale, jep një informacion fals, përsëri ai bën një shkelje të rëndë ligjore, sepse vë në pozitë të vështirë institucionet franceze të sigurisë, shtetin francez dhe raportet e Francës me shtetet e tjera.
Pyetja e dytë, që del, është se përse deri tani zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Kosovës nuk ka bërë përgënjeshtrim të akuzës, që i vjen nga ish-drejtori i shërbimit të fshehtë francez. Nuk e dimë se kush e ka këshilluar Hashim Thaçin që të mbajë heshtje për këtë akuzë të rëndë, por fakti është se ai, që e lëshoi akuzën nuk është gazetar i mediave me tirazh të kufizuar apo portaleve kosovare, ku mund të flasësh si në majë të fikut dhe që qeveritarët e Prishtinës nuk i kanë në refene. Ai që foli është ish- drejtori i shërbimit sekret të Francës, të një shteti të madh dhe tepër të rëndësishëm europian të BE dhe të NATO-s, shtet me interesa historike dhe aktuale në rajonin e Ballkanit, dhe kjo akuzë e këtij niveli nuk mund të kalohet në heshtje dhe as të neglizhohet, sepse komprometon pikërisht palën e akuzuar. Përgënjeshtrimi do të ishte jo vetëm hapi i duhur, por edhe i domosdoshëm, sepse situata e krijuar vë në dyshim dhe shkakton konfuzion për shumë raporte, zhvillime, qëndrime, vendime dhe perspektiva të çështjes së Kosovës. Aq më tepër aspirata dhe synimi për të marrë postin e Presidentit të Republikës kërkon sqarimin e atij skeleti, real apo virtual, të cilit dikush me peshë nga Franca i hapi dollapin. Sqarimi nuk është kërkesë administrative dhe as thjesht politike apo morale, por është kërkesë kombëtare, sepse Kosova nuk i përket vetëm presidentit apo vetëm qeverisë së saj, sepse Kosova është pjesë e pandarë e trungut, e ekzistencës dhe e flamurit shqiptar dhe i intereson të gjithë kombit, të gjithë shqiptarëve, kudo që janë.
Niveli i lartë i akuzës kërkon nivelin e lartë të përgjigjes. Sepse është ndryshe për shembull të shkruajë shtypi ose të lëshohen akuza nga opozita, siç ka ndodhur rëndom gjate 24 vjetëve në parlamentin e Shqipërisë për gjysmën e politikanëve, që akuzojnë njëri-tjetrin si agjentë të Serbisë, të Greqisë apo të Rusisë. Pas formimit të qeverisë së re serbe në prill të vitin 2014, udhëheqës të opozitës deklaruan në parlamentin e Serbisë se zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ishte përfshirë në qeveri me urdhrin dhe me presionin e Rusisë. Megjithëse akuzën Daçiçit nuk ia bëri ish-drejtori i KGB-së ruse, ai megjithatë u nxitua të bëjë përgënjeshtrimin dhe pas kësaj, nuk ia përmendi më njeri. Fenomeni i emërimit të kryeministrave dhe të ministrave në vendet ballkanike me urdhër, me porosi apo me dosje të njërës apo tjetrës fuqi të huaj, është i zakonshëm në jetën e shteteve ballkanike. Ka ndodhur edhe një rast anekdotik në Shqipëri, i treguar nga kryeministri i vendit në një emision televiziv, se ministri i Jashtëm i qeverisë i ka kërkuar kryeministrit grek Georgos Papandreu të ndërhyjë tek kryeministri shqiptar për ta rizgjedhur ministër të Jashtëm. Edhe ky rast televiziv nuk pati përgënjeshtrim. Është e kuptueshme se interesat e fuqive të mëdha europiane në Ballkan gjithmonë janë përthyer me veprimtari të nëndheshme dhe me ndërhyrje të hapura në jetën e brendshme dhe në ndërtimin e institucioneve dhe të qeverive ballkanike.
E parë në një plan më të gjerë, duhet thënë se ish- drejtori i shërbimit sekret francez cek një dosje të errët të historisë politike mbarëshqiptare, që ka të bëjë me lidhjet okulte të disa udhëheqësve dhe disa politikanëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit me institucionet shtetërore dhe me shërbimet sekrete franceze. Nëse ish-drejtori Pierre Siramy pretendon se e kanë rekrutuar Hashim Thaçin si agjent të Francës gjatë më pak se tri javëve, që ai ndodhej në vitin 1999 në kështjellën e Rambujesë në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, çfarë mund të supozohet për disa personazhe të rëndësishëm të politikës shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët kanë studiuar dhe janë specializuar në Francë në periudha shumë më të gjata se sa ajo e Hashim Thaçit. Dhe nuk duket si rastësi që shumë prej tyre u katapultuan si me sustë në politikën shqiptare, tek e djathta dhe tek e majta, që në fillimin e ndryshimeve të vonuara demokratike dhe dolën si grupime madje në postet më të larta të shtetit. Në një vështrim të shpejtë në kronikat biografike të udhëheqësve të Shqipërisë dhe të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, nxjerr pesë presidentë dhe kryeministra, që kanë kaluar periudha franceze studimi dhe specializimi para karrierës dhe suksesit politik. Të pestë ata iu lëshuan politikës sapo erdhën nga Parisi. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për të hedhur në mënyrë aprioristike dyshime për gjithë politikanët e arsimuar në Francë, por çështja themelore është se cilat mund të jenë arsyet e disa institucioneve franceze, që të rekrutojnë disa politikanë shqiptarë në të dyja anët e kufirit, siç po pretendon për Hashim Thaçin vetë ish-drejtori i shërbimit të fshehtë francez.
Për shkak të kulturës dhe modelit të saj demokratik, shqiptarët e kanë dashur gjithmonë Francën. Francës as i ka ardhur dhe as mund të mendohet se mund t’i vijë ndonjë shenjë kërcënimi interesash, drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Shqipëria. E kemi fjalën për interesat franceze në Ballkan, të cilat politika dhe shteti shqiptar nuk i kanë parë kurrë me dyshim. Franca si model i shtetit demokratik dhe i kulturës së lartë europiane, është aspiruar si shkollë e ëndërruar e brezave intelektuale shqiptare gjatë mbi 100 vjet të shtetit shqiptar. Por nuk ka të bëjë aspak me kulturën dhe me demokracinë dërgimi në Francë nga regjimi komunist i grupeve të zgjedhura nga Fakulteti i Mjekësisë dhe nga Fakulteti i Shkencave, gjatë viteve më të zeza të represionit intelektual e njerëzor në Shqipëri. Më shumë se gjysma e atyre dy grupeve të zgjedhura u shfaqën befas si me porosi në krye të partive politike, të politikës dhe drejtimit të shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë, pas shembjes së komunizmit.
Çështja themelore dhe keqardhja më e madhe, që shtrohet është se udhëheqësit dhe politikanët e rëndësishëm shqiptarë në të dyja anët e kufirit, që u shkolluan apo u specializuan në Francë, nuk aplikuan dhe as ndoqën kurrsesi në Shqipëri dhe në Kosovë as mendimin politik francez, as kulturën politike franceze dhe as modelet institucionale franceze, as përvojën e shtetit demokratik francez, në programet e qeverive, që udhëhoqën apo ku morën pjesë. Po të shikosh me kujdes, do të konstatosh se udhëheqësit dhe disa politikanë të rëndësishëm të Shqipërisë, që u shkolluan apo u specializuan në Francë, nuk sollën dhe as tentuan të sillnin në Shqipëri dhe në Kosovë demokracinë franceze, legjislacionin francez, sistemin shkollor dhe edukatën franceze. Ata frankofoninë e tyre e patën si alibi të autokratizmit dhe të primitivizmit më të egër ballkanik. Udhëheqësit dhe disa politikanë të rëndësishëm shqiptarë, që erdhën nga Parisi, nuk sollën as erë Parisi dhe as erë France në Shqipëri dhe në Kosovë. Është për të ardhur keq, por udhëheqësit dhe disa politikanë të rëndësishëm shqiptarë, të shkolluar apo të specializuar në Paris, u ngjanë disa udhëheqësve aziatikë si Ho Shi Mini i Vietnamit, Çu En Lai i Kinës, Kieu Samfani i Kamboxhias e të tjerë, të cilët studiuan në Francë, por e harruan Francën sapo kaluan kufirin e saj ajror dhe në vendet e tyre aplikuan format më barbare të komunizmit.
Kjo antitezë e portretit personal, e veprimit dhe e sjelljes së udhëheqësve dhe e disa politikanëve të rëndësishëm shqiptarë, me shkollën apo grimin e tyre francez, hap dyshime të mëdha jo vetëm për defektet gjenetike të atyre udhëheqësve dhe politikanëve shqiptare, të cilët as nuk u kulturuan dhe as u demokratizuan dot në shkollat dhe laboratorët e çmuar francezë, por mbeten ballkanikë dhe ruralë të palatuar edhe në moshën e tretë dhe të katërt. Shpresa e vakët dhe urimi është që Franca të ketë qenë vendi i origjinës së tyre politike dhe të mos ketë qenë vend tranzitimi i rrugëtimit të tyre politik, i cili, mos e dhashtë Zoti, të ketë qenë dhe të jetë i nisur nga Beogradi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb