NGA BISLIM AHMETAJ

E kam varë “vath” në vesh, një thënie të shkrimtarit Vath Koreshi, i cili, i ftuar në një studio televizive që s’më kujtohet saktësisht, ndoshta nga të fundit biseda të tij rreth artit dhe letërsisë, pat thënë pak a shumë: “Kritika e realizmit socialist ka vdekur. Tash, nëse të pëlqen një shkrimtar e lexon, nëse të befason me artin e tij mund të shkruash diçka rreth veprës së tij”. Kjo e vërtetë ka vite që më ndjek, lexoj libra të miqve të mi dhe pse ta fsheh, pasi shpallet Çmimi ‘Nobel’ në letërsi, kam marrë dhe lexuar libra të nobelistëve të rinj, që për njëmijë e një angazhime të tjera të përditshmërisë tonë as që i kemi njohur dhe dëgjuar më parë. Librat e miqve të mi i marr me shumë kënaqësi, e nis leximin e tyre po me të njëjtin përkushtim.

Respekti dhe angazhimi im miqësor ndaj autorëve, kur vepra e tyre është e lodhshme zgjat deri tek faqja e njëzetë apo me durim skllavi edhe deri tek e katërdhjeta faqe. Kaq sa për të mos u zanë “mat” kur rrimë në kafe me njëri-tjetrin. Letërsia e Petrit Palushit nuk vuan nga ky sindrom, atë mund ta lexojnë miq të autorit dhe jo miq të tij. Adhuruesit e letërsinë bashkëkohore te romanet e Petrit Palushit s’kanë kurrfarë frike se po ndalen as te faqja e njëzetë as tek e katërdhjeta, por veç tek ajo e fundit. Dhe pas leximit të tyre ndjehesh si në faj që turravrap e mbarove, kur kishe mundësi ta zgjasje edhe pak atë ngasje që të jep stili, subjektet, personazhet, gjuha dhe simbolika e fortë që shoqëron veprën e tij.

“Shtrati 13”, si një sedilje në vagonin e trenit me ngjyrë të verdhë, që udhëton drejt vdekjes.

Romanin e fundit të Petrit Palushit “Shtrati 13” që më pëlqen ta quaj – një udhëtim në trenin e verdhë drejt vdekjes – e lexova me dy stacione. Stacioni i parë ishte vrulli i zgjimit të mëngjesit dhe stacioni tjetër, pasdarka që më përcolli në ditën tjetër. Midis dy personazheve kryesore të librit, që janë Ulpiani dhe Fjolla udhëton treni me ngjyrën e vdekjes, atë të verdhën e limontë, që merr i vdekuri kur e përcjellin njerëzia drejt banesës së fundit. Ulpiani e ndjell vdekjen, Fjolla me dritën e saj e largon atë. Në 150 faqet e romanit vdekja dhe dashuria bashkëjetojnë në një simbiozë herë vdekjeprurëse, herë jetëndjellëse, një ekuilibër që autori e gjen midis së verdhës së mureve të spitalit dhe asaj të Van Gogut. Duke humbur në lexim të duket sikur je duke lexuar romanet e nobelistit Coetzee, herë “Jeta dhe koha e Majkëll K.”, herë romanin “Askund” dhe herë “I ngadalti”, njësoj si personazhet e Coetzee, që s’kanë as të kaluar, as të ardhme, as ndonjë histori të veçantë për të treguar; ata s’kanë ç’të fshehin, ata nuk jetojnë dhe jetojnë njëkohësisht, kanë origjinë dhe u mungon ajo, kanë personalitet, por nuk është se u duhet gjë, edhe po t’u mungojë, s’u shton asgjë pasi jetojnë me vdekjen dhe për të.

Kështu edhe Ulpiani, përveç emrit simbolik s’ka asgjë për t’i treguar botës, thjesht dikur ka menduar që kur të shkojë në shkollë, do t’i mësojë të gjitha që ditën e parë dhe pikërisht atë ditë është zhgënjyer, edhe pse autori e ruan dhe don që ta shtyjë edhe pak më gjatë në labirintet e jetës. Ulpiani nuk don të jetë personazh i jetës kot, i jetës bosh, i jetës që takohet dhe vallëzon me vdekjen ndër re, në kupë të qiellit, i shtyrë nga retë e zeza, të murrme, të ullijta, të verdha. Megjithatë, ai s’përpiqet të tregojë asgjë për të dhe mirë bën tek e fundja. Ai s’ka kohë kur ka jetuar, ai ka kohë vetëm për të përjetuar vdekjen në “Shtratin 13”, te dhoma e gjallnimit siç e quan autori repartin e reaminacionit dhe gjashtë ditët pasuese në një dhomë spitali, ku jeta dhe vdekja ia lëshojnë vendin njëratjetrës, si dita natës dhe anasjellas pa asnjë pikë rëndësie. Ulpiani ka vetëm një vegim dashurie të rrënuar për hiçasgjë, për një ngatërresë absurde me Fjollën.

Egoizmin për t’i pas sytë të ullinjtë njëlloj edhe Fjolla si Ulpiani. Edhe Fjolla, përveç simbolikës që përcjell emri i saj i veçantë, nuk ka kurrfarë vlere, ajo thjesht mund të quhet një “rojtare besnike” e një shkëndije dashurie, që mban gjallë jetën e Ulpianit që s’i duhet më askujt. Fjolla së paku e ka një punë në jetë, asaj i duhet të ndjekë koncertin e së bijës, që s’dihet se si ka ardhë në këtë jetë. Edhe Ulpiani i ka dy fëmijë, ka edhe bashkëshorten, por dashtaz autori hedh më shumë dritë te bluza e infermieres se tek ajo pjesë e vetvetes. Ulpiani shfaq më shumë interes për tulipanët që gjenden vetëm te Përroi i Andrrës se për djemtë e tij dhe kjo është një arsye që me “Shtratin 13” ka një inat të madh. Ai s’duhej ta linte të ikte prej tij. Askujt s’i intereson a del apo nuk del nga spitali personazhi kryesor i romanit “Shtrati 13”. Udhëtimi i tij absurd me vdekjen, e verdha e mureve, zebra që i ka hyrë në shpirtin e tij si luan dhe herë-herë e fiton betejën me luaninshpirt. Lëkura e Zebrës që ia ka mbështjellë zemrën me shirita bardhë e zi.

Ngjyra e verdhë e bluzës së infermieres, e mureve, e ilaçeve e jetës-vdekje janë ndjellja e autorit drejt përjetimit të vdekjes në të gjallë. Autori, në ndryshim nga Van Gogu që kërkonte të “sëmurej për vdekje nga dashuria”, tek e verdha e dashurisë së piktorit përpiqet përgjatë shtatë netëve të gjejë dritën e jetës, dritën e shpëtimit edhe pse ai shpëtim s’i sjell kurrfarë ndryshimi (“Fytyra jote dritë në terr/ Nata ditës, dritë i merr”). Filli i absurdit noton kthjelltësisht në trurin e turbullt të personazheve. Edhe pse Ulpiani e gjen ilaçin e jetës tek dashuria, ajo jetë nuk ka kurrfarë kuptimi, pasi ajo dashuri është fikur, është thjesht një mirazh i këputur. Ajo dashuri shkëlqimtare që kishte vezulluar njëherë e një kohë tashmë, thjesht shërbeu si ilaç për të vazhduar agoninë e një jete bosh. Ulpian Agshtegu, personazhi kryesor i romanit “Shtati 13” të shkrimtarit Petrit Palushi ka shumë pak ndryshime me Majkëll K. të romanit “Jeta dhe koha e Majkëll K.” të nobelistit J.M.Coetzee.

Ulpiani e thërret mbiemrin e tij për ta nxjerrë edhe një herë nga qerthulli i vdekjes, ndërsa Majkëlli e ka kuptuar se nuk i duhet më kjo jetë koti, e ka pirë të gjithën… Në fund të këtij kumti për romanin më të ri të autorit, dua të theksoj se letërsia që sjell shkrimtari Petrit Palushi është letërsi bashkëkohore, konkurruese me letërsinë më të mirë që botohet sot në botë, mu për këtë arsye ajo duhet patjetër të tërheqë vëmendjen e botuesve dhe përkthyesve që t’i prezantohet lexuesit europian dhe atij botëror në gjuhët e tyre.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: