ITALI

40 vjet më parë, kur shkoi në viset e arbëreshëve në Itali, shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, pati thënë: “Ju arbëreshët jeni bijtë dhe etërit tanë”. Bijtë, sepse jani një degë e ndarë prej dheut të të parëve shekuj të shkuar, ndërsa etër, sepse sa herë duam të dimë si kanë qenë shqiptarët para se të bëheshin pjesë e një perandorie të huaj nga Lindja aziatike, ne i kthejmë sytë nga ju, nga arbëreshët. Javën e kaluar presidenti Ilir Meta me ftesë të homologut italian Sergio Matterela zhvilloi një vizitë në Kalabri, ku qëndroi mes arbëreshëve dhe u prit me madheshti prej tyre.

Këtu nuk jemi në tokë shqiptare, por ndihemi si të jemi në atdhe…. Jemi në Kalabri, aty ku 50 katunde, prej më shumë se 500 motesh, janë shqiptare, më shumë sesa italiane. Jemi në Arbëri, e këta janë arbër.
Edhe vetë italianët e kanë pranuar, sot e asaj dite, se ato zona janë arbëreshe! Kanë gjuhën, besimin dhe kulturën krejt unike.
Edhe pse kanë kaluar shekuj nga vendosja e tyre aty, në një zonë të lënë pas dore po ndër shekuj nga shteti i vendosur në veri, arbëreshët janë aty, mirëfilli shqiptarë; në doke, zakone, veshje dhe sjellje.

Aty gjendet gjithë shqiptaria, ngado ta marrësh; aty gjenden gjurmët e identitetit tonë, pa ndasi e parti, pa mëri e armiqësi, por përcjellës të denjë shqiptarie.

Sapo vë këmbën në tokën Kalabreze, ke ndjesinë se dicka të përket prej saj. Shumëçka prej kësaj toke, të mban të lidhur pazgjidhmërisht me të dhe fatet e saj.

Janë arbëreshët! Pasardhësit e Gjergj Kastriotit.

Mbërrijmë në aeroportin e ‘Lameze Terme’ mesditën e 6 nëntorit, kur Presidenti Ilir Meta nisi vizitën tri ditore në Kalabri me ftesë të homologut italian Sergio Matterela.

Ndalesa e parë është në “Cittadella regione Calabria” ku kreu i shtetit zhvillon një takim me presidentin e rajonit të Kalabrisë.

Flitet për shumëcka, për marrëveshje mes dy vendeve, por fokusi janë arberëshët, komuniteti, që pa frikë mund të cilësohet si një pasuri kombëtare e Shqipërisë dhe e Italisë, që që dëshmon për një bashkëjetesë të shkëlqyer mes popujsh.

Vizita e radhës është në Lungro. Një fshat arbëresh ky, që ngjan si fshtatrat e jugut të Shqipërisë. Thuajse si Qeparo e vjetër…..në sheshin e mbuluar me kalldrëm, të gjithë janë në hare. Këngët s`kanë të ndalur, e vallet gjithashtu. Atmosfera është drithëruese.

Kostumet shumëngjyrëshe, që veshur mbajnë vashëzat e Kalabrisë, të kthejnë mrapa në kohën kur jetoi Gjergj Kastrioti, luftëtari që përcaktoi identitetin europian të shqiptarëve.

Ata kanë mall njësoj si të ishte ajo koha e largët, kur etërit i tyre lanë vatanin…

Krenarë për rrënjët e tyre, të përmalluar për tokën e etërve, gjuhën e zakonet e të cilëve i trashëguan, si një nevojë e fortë për të mbijetuar dhe jo vetëm, por edhe për të ekzistuar si një “komb“, arbëreshët janë një.
Vazhdojnë të jenë se e duan fort, e vetëm duke qenë aty e ndjenë se sa e fuqishme dhe hyjnore ka qenë dashuria e tyre për kombin e gjuhën, elemëntë që asnjë stuhi 5 shekullore nuk ua shkuli dot.

Prej ditësh ata jetojnë me gëzimin se ky shesh mbushet me arbër të dy anëve, për të folur arbërisht si vëllai më vëllanë… dhe për të përkujtuar heroin kombëtar.

Ndjekim kronikën speciale të përgatitur nga gazetarët tanë.

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb