Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi është shtruar në spital pasi pësoi një lëndim të paspecifikuar gjatë një udhëtimi zyrtar në Luksemburg, tha zyra e saj të premten.

Pelosi, 84 vjeç, aktualisht po merr trajtim nga mjekët, tha në një deklaratë zëdhënësi Ian Krager.

Demokratja, e cila ende përfaqëson Kaliforninë në Dhomën e SHBA-së, po udhëtonte me një delegacion dypartiak të Kongresit në Luksemburg në kuadër të 80-vjetorit të Betejës së Bulge.

Krager tha se Pelosi “pret me padurim të kthehet së shpejti në shtëpinë e saj në SHBA”.

Kongresmenja e San Franciskos ka qenë një figurë e shquar në politikën amerikane me një karriere që zgjati 7 administrata presidenciale.

Ajo shërbeu fillimisht si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve nga viti 2007 deri në 2011 dhe u rizgjodh në vitin 2019 pasi partia e saj rimori kontrollin e dhomës.

Ajo dha dorëheqjen nga posti në vitin 2023 pas dy mandateve të veçanta katërvjeçare në këtë rol. Por ajo ka vazhduar të shërbejë në Kongres. Muajin e kaluar, ajo u zgjodh për një mandat tjetër dyvjeçar.

Pelosi iu bashkua 17 anëtarëve të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve në udhëtimin dypartiak në Luksemburg, sipas zyrës së Kryetarit të Dhomës, Mike Johnson.

Pelosi nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë më tej në aktivitetet që do të organizohen, tha zëdhënësi i saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb