Nga ELDA MENGA*

TIRANË – Opozita kishte bojkotuar tre herë Kuvendin deri më 10 korrik, por duke dalë dhe u kthyer sërish. Ndoshta as Lulzim Basha vetë dhe asnjë prej deputetëve të opozitës nuk e kishte planifikuar që bojkoti i nisur pas seancës së 10 korrikut do të zgjaste 6 muaj. Eci në të njëjtën rrugë si opozita e Edi Ramës në 2010-ën, duke u rikthyer ne limitin e fundit ligjor të djegies së mandateve

Arsyeja që mbajti larg Parlamentit demokratët dhe aleatët e tyre ishte dhuna ndaj deputetit Gent Strazimiri.

Më pas, ata artikuluan qartë kërkesat e tyre, si kushte që duhet të plotësoheshin nga shumica dhe që siguronin rikthim në Parlament, ku më e rendësishmja ishte dekriminalizimi i parlamentit

Për Edi Ramën, me një maxhorancë të fortë në Parlament, vendet bosh të opozitës nuk përbënin ndonjë ndryshim. Ishte kundër marrëveshjes që kërkonte opozita, megjithatë hapa konkretë u hodhën kur në Parlament u miratuan kërkesat për komisione hetimore dhe ndryshimet në rregullore

Ndërsa koha po shtrëngonte dhe deputetët demokratë me kontribute disavjeçare po rrezikonin djegien e mandateve, ndërkombëtarët, me nxitjen nga politika në Shqipëri, u vunë në lëvizje. Kjo lehtësoi pozitën e Lulzim Bashës që ishte nën presionin që deputetët e tij apo aleatët mund të thyenin bojkotin

Angazhimi i Parlamentit Europian bëri të mundur arritjen e një marrëveshjeje dhe rikthimin e opozitës në Kuvend. Konsensusi ishte një rezolutë që ndër të tjera kërkon angazhimin e palëve për t’i dhënë fund kriminalizimit të kuvendit.

Me bojkotin ndaj Parlmanetit, Partia Demokratike zgjodhi të bëjë betejën e opozitare nga foltorja e selisë dhe me protesta. Lulzim Basha thirri protestë kundër premtimeve të pambajtura te qeverise që në fillim të 2014-ës. Më 20 shkurt, ditën simbol të rrëzimit të kulteve të komunizmit, ajo nxorri qytetaret në shesh.

Përpjekja vijoi në Parlament me kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe për emërimet në administratë. Dhe në këtë situatë të akuzave të ndërsjella, në fillim të muajit prill, Arben Imami, ish-ministër i Mbrojtjes, artikuloi një akuzë të fortë. Fillimisht, shumica nuk e mori seriozisht opozitën….

Por, për fatin e keq të shumicës, kur çështja kishte filluar të zhbëhej dhe pasi ishte vënë në akuzë Shërbimi Informativ Shteteror për nxjerrje informacioni, në Divjakë u rrëzua një avion që tentoi të trafikonte drogë. Shumica u gjend zbuluar dhe lëshoi deklarata kontradiktore në lidhje me ngjarjen

Për dy muaj, Lulzim Basha fokusoi betejën opozitare në trafikun e drogës. U krijua Aleanca kundër narkotrafikut.

Në këtë situate, ku kredibiliteti i qeverisë kishte rënë, Edi Rama bëri një zgjidhje taktike. Futi policinë në Lazarat, e etiketuar si zona më e nxehtë e kultivimit të drogës në vend. Këtë here, ajo që u gjend e papërgatitur ishte opozita. Futja e policisë në Lazarat dhe afrimi i datës 24 qershor, kur do të shpallej vendimi për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, proces i mbështetur nga opozita, zbehu kauzën e drogës për ta lënë atë në harresë. Por, fushata e saj denoncuese ndaj keqeverisjes vijoi. Disa aksione me impakt tek shumë qytetarë, si ndërtimet dhe energjia, u përmblodhën në një protestë masive në Tiranë.

Opozita shfrytëzoi edhe një dritare tjetër për të kundërshtuar nismat e maxhorancës së majtë, Gjykatën Kushtetuese. Disa i fitoi, por u rrëzua në atë për hartën e re administrative, të cilën e bojkotoi që në fillim. Ajo nuk e njeh këtë hartë, që do të aplikohet në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015’ për pasojë ka dhe një qendrim të paqartë në lidhje më futjen ose jo në këtë proces

Por, krahas menaxhimit të oponencës ndaj qeverisë, Lulzim Bashës i duhej të merrej edhe me ringritjen e partisë. I zgjedhur në krye të Partisë Demokratike pas dështimit në zgjedhjet e përgjithshme të 2013, ai duhet të kalontë në analizë humbjen dhe të niste një proces rinovimi të strukturave.

Pati zëra pro dhe kundër shmangies që ai i bëri deputeteve nga zgjedhjet brenda partisë dhe afrimit të figura të reja dhe të tjerëve që para zgjedhjeve ishin larguar nga Sali Berisha.

Ky proces zgjati më shumë nga ç’pritej, analizat munguan, por të paktën për herë të parë në Kuvendin e Partisë, nga ku doli Këshilli i Ri Kombëtar, Lulzim Basha i kërkoi ndjesë shqiptarëve

Partia Demokratike u kompletua me strukturat e saj drejtuese… pothuaj 17 muaj pasi Lulzim Basha pasoi Sali Berishën. Mbetën pa funksione partiake, figura me kontribut në këtë parti si Jozefina Topalli, Astrit Patozi apo Arben Imami. Po kështu janë pjesë e kryesisë, emra të tjerë të rëndësishëm, vetëm pse kanë funksione në parlament si Majlinda Bregu dhe Ridvan Bode.

Njohësit e politikës e intepretuan këtë si mbyllje e hapësirave për zërat kundër brenda partisë, një mënyrë që Lulzim Basha të shmangë kundërshtarët. Disa thonë që gjithë ky proces u bë nën hijën e liderit historik Sali Berisha, të tjerë e përjashtojnë këtë. Megjithatë në çdo rast përgjegjësia është e Lulzim Bashës. Tashmë me rikthimin në parlament dhe me një parti të riorganizuar, për pak muaj ai do të përballët me sfidën e tij të parë, zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb