NGA VALENTINA MADANI

TIRANE- Pas zgjedhjes së kryetarit të Forumit Rinor, Partia Demokratike ka hapur procesin e zgjedhjeve të drejtuesve të forumit në të 53 degët e saj në mbarë vendin. Kryetarët do të zgjidhen nga anëtarësia me parimin ‘një anëtar, një votë’, standard i vendosur për herë të parë nga Partia Demokratike. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dje udhëzimin që mban firmën e kreut të FRPD-së, Belind Këlliçi, që saktëson procedurat që duhen të ndjekin grupet e punës për procesin zgjedhor në çdo degë. Në udhëzimin, i cili u është shpërndarë të gjitha degëve në rrethe bëhet e ditur se me daljen e këtij udhëzimi, brenda një jave kryetari dhe grupet e punës kanë për detyrë të saktësojnë të gjithë listën e anëtarësisë. Është detyrë e kryetarit të FRPD-së, Grupit Qëndror të punës dhe grupit të punës vendor për përmbylljen e fazës së dytë të zgjedhjeve brenda FRPD-së, fazë e cila përmbledh zgjedhjen e organeve drejtuese nga njësia bazë seksioni, kryesitë e degëve dhe kryetarin e degës së FRPD.

Grupi qendror i punës duhet të përcaktojë numrin e anëtarëve të kryesisë për çdo degë. PROCESI I gjithë procesi për përmbylljen e fazës së dytë duhet të përfundojë brenda një muaji nga data e daljes së udhëzimit. Grupi qendror i punës do të përbëhet nga kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, sekretari i përgjithshëm i këtij forumi Keltis Kruja, nga këshilltari i kreut të PD-së, Genti Malko; nga sekretarja për organizatat partnere Valbona Mezini dhe nga anëtarët e kryesisë Endri Hasa, Lulzm Omuri dhe Esli Zala. Sipas udhëzimit, kandidatët për kryetarë dege nuk mund të jenë pjesë e asnjë GPV dhe as koordinatorë të degës. Zgjedhja e kryetarit të degës do të bëhet me parimin “një anëtarë, një votë’. Për çdo degë do të përgjigjen jo më shumë se tre kandidatë zyrtarë.

KRITERET
Kriteret për kandidimin për kryetar dege duhet të jenë: të jetë banues i përhershëm, faktik dhe të jetë aktiv në degë ku kandidon; të mos jetë i zgjedhur më shumë se një mandat në drejtim të degës; të mund të përmbushë 2/ 3 e mandatit, brenda moshës së lejuar si anëtar i FRPD-së në bazë të statusit; të ketë përvojë në politikë si anëtar i FRPD; të ketë aftësi të mira komunikimi dhe drejtuese; të ofrojë shanse reale për të ngritur në një nivel të lartë veprimtarinë e FRPD-së, të jetë me arsim të lartë ose student.

Sipas udhëzimit, është në përgjegjësinë direkte të Grupit të Punës Vendor realizimi me korrektësi i të gjithë procesit të zgjedhjeve dhe konsiderimi si shkelje të rëndë të rasteve për proceset fiktive në seksione. Ndërsa Grupi Qendror i Punës do të mbikëqyr të gjithë procesin dhe pritet të vendosë rasti pas rasti për zgjedhjen e çështjeve të ndryshme, për të cilat mund të ketë nevojë procesi, në mënyrë që të ruhen standardet dhe afatet.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: