ZVICËR- Komiteti ekzekutiv i UEFA-s i hoqi sot të drejtën klubeve të futbollit të gadishullit të Krimesë të marrin pjesë në kompeticionet e organizuara nga Federata Ruse e Futbollit duke filluar nga data 1 janar 2015, deklaroi sekretari i përgjithshëm Gianni Infantino.

“Fenderata Ruse e Futbollit nuk mund të organizojë ndeshje në Krime pa miratimin e UEFA-s dhe të Ukrainës”, shtoi Infantino, por duke përjashtuar sanksionet nëse ndodh e kundërta.

Federata Ruse (RFS) konfirmoi menjëherë se synon të respektojë këtë vendim të UEFA-s. “Ne nuk mund të injorojmë vendimet e UEFA-s dhe të FIFA-s, ne duhet të aplikojmë vendimet e UEFA-s pasi është organizmi që drejton futbollin evropian”, deklaroi zëvendëspresidenti i RFS-ës, Nikita Simonyan, i cituar nga agjencia ruse “R-Sport”.

“Vendimi i UEFA-s nuk është më i miri i mundshëm por është vendimi më i mirë për momentin”, deklaroi nga ana e tij zëdhënësi i Federatës Ukrainase (FFU), Pavel Ternovoi.

Presidenti i klubit të Krimesë SKCF Sevastopol, Alexander Krasilnikov, e kritikoi këtë vendim si “të drejtuar kundër futbollit dhe të dashuruarve të futbollit, dhe UEFA ka përzier futbollin me politikën”.

Ukraina e humbi gadishullin e Krimesë, të aneksuar në mars nga Rusia, dhe lufton një rebelim të armatosur prorusë në lindje të vendit që prej shtatë muajsh. Ky konflikt ka bërë më shumë se 4 300 të vdekur sipas OKB-së

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: