TIRANE – Prej javësh, shqiptarët që disponojnë edhe një pasaportë të Kosovës kanë pasur mundësinë që të aplikojnë për bileta në faqen zyrtare të UEFA-s për të ndjekur Kombëtaren në zonën e rezervuar të tifozërisë (pas portave). Megjithatë, me një interesim deri në instancat e organizatorëve të kompeticionit, gazeta “Panorama Sport” ka mësuar detaje ekstra shumë interesante.

“Ne ju informojmë se UEFA nuk ka vendosur asnjë model shitjeje biletash për federatat kombëtare pjesëmarrëse”, është një përgjigje shumë domethënëse që gazeta “Panorama Sport” ka marrë nga zyra për shtyp e UEFA-s me anë të postës elektronike.

Gazeta u interesua pranë institucionit europian të futbollit për të mësuar diçka më shumë në lidhje me sistemin e shpërndarjes së biletave dhe përgjigjja ishte befasuese. Sipas asaj që bën me dije zyra për shtyp e UEFA-s, mësohet se çdo federatë që do të jetë pjesëmarrëse në Europian, ka pasur mundësinë për të përzgjedhur një model të mënyrës sesi do të bëhet prenotimi dhe shpërndarja e biletave. Sipas UEFA-s, mundësitë kanë qenë me “fan club”, pra me një klub zyrtar tifozësh ose me një sistem më të hapur.

Ja përgjigjja e UEFA-s:
“Ne ju informojmë se UEFA nuk ka vendosur asnjë model shitjeje biletash për federatat kombëtare pjesëmarrëse. Ka disa federata, të cilat kanë zgjedhur për një sistem klubi tifozësh (fan club) dhe disa të tjera që kanë vendosur për një sistem më të hapur.

Ju ftojmë që të pyesni direkt Federatën Shqiptare të Futbollit për më tepër informacion apo detaje për sistemin që ata kanë zgjedhur”. Shqipëria është për herë të parë në fazën finale të një kompeticioni të rëndësishëm si Europiani dhe interesimi i shqiptarëve anembanë botës është shumë i madh për të pasur mundësinë që të ndjekin qoftë edhe një ndeshje të vetme të kuqezinjve në Francë.

Megjithatë, krijimi i “fan club”-it, “Tifozët e Kombëtares” nga FSHF e ka zhvendosur debatin në një tjetër drejtim. Tashmë bëhet fjalë për funksionin që ka ky klub në lidhje me shpërndarjen e biletave dhe mundësitë që i ofron një anëtarësim i tillë për ta ndjekur nga afër Shqipërinë në Europian.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: