NGA: OLA MITRE* TIRANE- Vërtetimi i dypunësim it për personat që punojnë në 2 subjektet farmaceutike të ndryshme do të zëvendësohet nga certifikata e dypunësimit. Për këtë arsye, sipas Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, këta persona do të duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh për të aplikuar, me qëllim pajisjen me dokumentin e ri. Kështu, për t’u pajisur me dokumentin që zëvendëson vërtetimin e lëshuar deri më tani duhet fillimisht të dorëzohet formulari i deklarimit të ndryshimeve.

Ai mund të shkarkohet nga faqja online ‘ufsh.org.al’, tek dritarja ‘anëtarësimi’ e më pas të plotësohet me shkrim dore dhe pa gabime. Ndër të dhënat që kërkohen për t’u plotësuar janë të dhënat personale (emri, mbiemri, numri i certifikatës së anëtarësisë dhe numri i telefonit) si dhe të dhënat e subjekti farmaceutik ku jeni i punësuar me kohë të plotë si farmacist apo si drejtues teknik. PO ashtu, ju duhet të specifikoni edhe të dhënat e farmacisë tjetër ku ushtroni aktivitetin me kohë të pjesshme. UFSH rikujton se deklarimi i rremë i këtyre të dhënave shkakton përgjegjësi ligjore dhe sjell pasoja kur vërtetohet se dokumentet janë të falsifikuara.

“Deklarimi i rremë sjell pasoja ligjore kur të dhënat janë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, sjell përjashtimin tuaj nga çdo procedurë e mëtejshme për të cilin keni deklaruar në këtë formular”, saktësohet në fund të formularit të deklarimit të ndryshimeve. Ndërkaq, përveç këtij formulari, anëtarët e UFSH-së, të dypunësuar duhet të dorëzojnë kontratën e punës me punëdhënësin, fotokopje e certifikatës së anëtarësisë së drejtuesit teknik si dhe ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Po ashtu, dokumentacioni duhet të plotësohet me fotokopjen e dokumentit të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit, një fotografi me përmasa 3 x 3.5 cm, si dhe me mandat pagesën për riprintim certifikate.

Dypunësimi në subjektet farmaceutike u lejua edhe pas ndryshimeve që iu bënë statutit e që hynë në fuqi në 1 korrik të këtij viti. Presidentja e UFSH-së, Diana Toma përmes një interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” pak kohë më parë tha se “dypunësimi do të lejohet brenda qytetit”. “Sipas Kodit të Punës lejohet 40 orë pune me kohë të plotë dhe 10 orë shtesë, të cilat nëse ke dëshirë mund t’i ushtrosh në një subjekt tjetër me kohë të pjesshme në një punë të dytë”, deklaroi Toma në atë kohë.

CERTIFIKATAT
Ndërkaq, pas përfundimit të ciklit të parë të edukimit në vazhdim, UFSH është përfshirë në procesin e ricertikimit të këtyre profesionistëve të shëndetësisë. Për pasojë është duke përfunduar pajisja me lejet e reja të ushtrimit të profesionit, ndërkohë që janë bërë gati edhe rreth 80 certifikata, emrat e të cilëve i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Këta farmacistë, duhet të paraqiten personalisht pranë zyrave qendrore të këtij institucioni për t’u pajisur me këtë dokument. Po ashtu, saktësohet se për të tërhequr certifikatën e re, që iu mundëson ushtrimin e profesionit, në momentin e tërheqjes, këta profesionistë duhet të jenë të pajisur me një mjet identifikimi si dhe me certifikatën e vjetër.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: