Nga FATMIRA NIKOLLI*

Një udhëtim që zë fill në Brindisi e kalon në Prevezë, Vlorë, Durrës e Shkodër. Një gazetar italian në Shqipërinë e sunduar nga Porta e Lartë.

Prevezë, 10 korrik. Dje në mëngjes lundruam dymbëdhjetë orë me pamjen e maleve të Epirit, të lartë e të thepisur mbi det, çerdhe të vërteta të shqiponjave, majat e shkreta Akrokeraunike prej nga për helenët, Zeusi zbrazte rrufetë e veta. Më pas, atë pasdite, për dy orë kaluam nga bregu i bokërrimtë turk i Sarandës në kopshtijet hijeshumë e të erandshme të Korfuzit”. Gazetari italian i “Corriere della sera” Ugo Ojetti, i përshkruante me detaje ato që shihte në vitin e largët 1902, në një udhëtim në Shqipëri. Libri i tij me përshtypje na jep një tablo të gjallë e mjaft interesante të Shqipërisë së kohës, çka e bën atë një ndër veprat më të rëndësishme të literaturës italiane kushtuar vendit tonë.
Në të, ai flet për Gurët e Sarandës dhe trëndafilat e Korfuzit, rrugët e Prevezës, pusin e xhamisë, për një vizitë të Mytesarifi (zyrtari kohës), për at Filemonin, françeskanin e varfër dhe mirësinë e Austrisë, për fortesa venedikase…

Një tufë shkrimesh e letrash të tij vijnë me një shqipe të kulluar me shqipërimin e Virgjil Muçit në libri “Udhëtim në Shqipërinë e vitit 1902” nën siglën e botimeve IDK. Shqipëria Otomane e kohës, vjen para nesh me besnikërinë e raportimit të një gazetari: “Vajmedet, brenda në qytet nën diellin zhuritës është mjaft ndryshe prej rrethinave nën agimin e freskët! Rrugët, për mirëmbajtjen e të cilave çdo epirot nga pesëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë e pesë vjeç paguan dymbëdhjetë piastra në vit taksë, janë shtretër rrëkesh kundër shkrepave të të cilëve shqiptarët mbrohen me sarùc-ët e tyre të fortë, këpucë me gozhdë me majën e kthyer, të përshtatshme si për qafëmalet e Sulit e të Pindit, ashtu edhe për të shëtitur në rrugën më elegante të Prevezës ose të Pargës, të Gjirokastrës ose të Janinës”.
Mandej, është me interes të lexohet sot kur e kemi humbur Prevezën, atë që thotë për ta gazetari italian më 1902.

“Furrtarë e kasapër janë ulur e rrinë mbi banakët e zhyer, me çyrekët e bukës dhe thelat e mishit të therur nëpër këmbë. Ndonjë kambist i ngjallur ose saraf hebre, me lëkurën e shndritshme dhe duart e thata hedh e pret në duar ato pak para për të tërhequr vëmendjen e myshterinjve. Mes turqve e grekëve me fes, të veshur europiançe ose siç thuhet në të gjithë Levantin, alla frënga, kalojnë fshatarët dhe kafsharët shqiptarë të nxirë nga dielli, të heshtur, shtatlartë e truplidhur përkundrejt pushtuesve helenë dhe sunduesve osmanë, besnikë ndaj veshjes së lashtë, me kësulën e bardhë pa xhufkë, përmbi këmishën me mëngë të gjatat pischli prej leshi të bardhë ose të kuq, të prera pas trupit, fustanellën me njëmijë rrudha, kallçinat prej fanellate ose zbathur të lidhura nën gju me thekë të errëta të zbatharakut dhe në rripin e mesit scigliachi i madh prej lëkure për kamën ose për pistoletën”.
Xhamia

Mbasi tregon se Vilajeti i Janinës që përfshin Epirin ka njëzet e dy mijë kilometra katrorë dhe gjysmë milioni banorë (afro njëzet e dy për kilometërë), të cilët i nënshtrohen autoritetit të një valiu në Janinë dhe tre mytesarifëve ose nënprefektëve në Prevezë, Berat dhe Gjirokastër- tregon edhe rrugën për te xhamia. “Përmes rruginave të rrëpirta marr të ngjitem te xhamia e gjorë me portat e shkalafitura, hajatin e pluhurosur pas parmakëve jeshilë të brejtur nga krimbi. Përkundruall një rrapi të madh dhe nën të, një pus. Një plakë këmbëzbathur është duke nxjerrë ujë me një shtambë pa lëfyt. Dy a tre kalamaj kalojnë aty pari rrugës për në shkollë. Njëri syresh nxjerr nga xhepi një kore buke të tharë dhe i kërkon plakës t’ia njomë në shtambën e vet. Një shitës mollësh largohet duke thirrur: Milacalà! Shtalkat e shtëpizave turke shkërmoqen e bien copë-copë, suvatë janë si lëkura e lebrozëve dhe shkallinat si gojë padhëmbë”. Sipas përshkrimeve, shihet edhe gjendja e banorëve.
Pallati i qeverisë

Ugo Ojetti, si për të dhënë diferencën, tregon se në pallatin e qeverisë hyhet duke kaluar mes dy kopshteve të lulëzuara pas kangjellave të ulëta në ngjyrë të kaltër. “Në rruginë e në oborr, ku dy roje marrin qëndrim ‘Për nder armë’ për agjentin tonë konsullor, ombrellën time të bardhë e për mua… Pertef beu, kreu i Mytesarifllëkut të Prevezës, më pret në një sallon plot ajër e dritë, katër dritaret e të cilit shohin nga deti, më ofron një cigare e urdhëron për kafetë”.

Gazetari nuk ngurron të thotë se duke mos mundur t’i thotë kurrfarë gjëje të rëndësishme dhe aq më pak, se vinte për të përshkruar Shqipërinë, flasin për motin e mirë, në një bisedë ku pauzat janë të gjata, e kafeja, mediokre. “Mytesarifi vuan shumë prej vapës, vjen i trashë, leshverdhë, i shogët e i veshur me pëlhurë. I ulur këmbëkryq në divanin e gjerë, ai shfryn shpesh, por ka buzëqeshjen e ëmbël të njeriut që ia ka më fort ënda e gëzon të drejtat e shumta kundrejt atyre pak detyrave”, – shënon Ojetti për zyrtarin… Autori (1871-1946) qe shkrimtar, gazetar, botues i një sërë revistash, kritik arti i njohur. Punoi për gazetën më të madhe italiane “Corriere della Sera”, ku qe përgjegjës për faqet e saj kulturore, ndërsa në vitet 1926-’27 u bë dhe drejtor i saj. Në vitin 1930 Ugo Ojetti bëhet gjithashtu anëtar i Akademisë Italiane.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: