Nga: LEDIONA XHELADINAJ*
KORÇE- Konsumonin ujë me krimba, shtrohen në spital për shkak të intoksikimit. Situata alarmante është shënuar në fshatin Shamoll të qytetit të Korçës, ku banorë, mes tyre fëmijë të grupmoshave të ndryshme, prej disa ditësh janë paraqitur pranë urgjencës së spitalit të Korçës në gjendje shëndetësore të rënduar. Burime pranë spitalit rajonal të Korçës thonë për gazetën se pacientët janë paraqitur në urgjencë me diarre, të vjella, temperaturë dhe dridhje të trupit.


Fillimisht është dhënë ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas është konstatuar se gjendja shëndetësore ishte serioze, ndaj pacientët e intoksikuar duhej të qëndronin disa ditë nën vëzhgimin dhe kujdesin e bluzave të bardha derisa gjendje e tyre të përmirësohej. Edhe pse banorët e fshatit Shamoll, 20 kilometra larg qytetit, kanë dy vite që jetojnë nën kërcënimin e ujit të ndotur dhe me orar të reduktuar, askush nuk interesohet për një zgjidhje të situatës. Banorët e lidhin shtrimin e të afërmeve të tyre në spital me ujin e ndotur. Sipas tyre, uji që rrjedh në çezmat e 450 familjeve është tërësisht i papastër, i pushtuar nga krimba me ngjyrë të kuqe dhe baktere të ndryshme.


Në këto kushte, dhjetëra familje detyrohen që të konsumojnë ujin e ndotur, duke e kulluar dhe zierë, ndërsa një pjesë tjetër udhëtojnë kilometra në ditë për të mbushur ujë në fshatin më të afërt. Të kërcënuar nga niveli i lartë i ndotjes të ujit të pijshëm, banorët shprehen se jeta e tyre është në rrezik, pasi në çdo moment janë të rrezikuar nga shpërthimi i epidemisë, sepse çdo ditë ka raste të të infektuarve nga konsumimi i ujit të ndotur. Një-45 vjeçar nga fshati Shamoll, i cili në gjendje të rëndë shëndetësore është detyruar të shtrohet prej 10 ditësh në spitalin e Korçës, për shkak të konsumimit të ujit të ndotur.


“Kemi mëse dy vjet që pimë ujë të papastër, plot me krimba dhe mbeturina, vetëm ujë që nuk mund të quhet, por pisllëk. U sëmurëm me dhembje barku dhe të vjella. Marrim ilaçe çdo ditë, poer përsëri kemi me shqetësime shëndetësore. Uji vjen me orar të reduktuar, vetëm tri orë në ditë dhe aq sa vjen, është i papastër. Ne e kullojmë me napë dhe më pas e ziejmë. S’kemi zgjidhje tjetër, e pimë ashtu siç është, të ndotur, duke rrezikuar seriozisht shëndetin tonë. Për shkak të ndotjes unë kam qëndruar disa ditë në spital dhe përsëri jam i sëmurë. Kam pasur të vjella, heqje barku, të dridhura trupi dhe temperaturë. Kam shkuar menjëherë në spitalin e Korçës dhe atje më kanë shtruar, pasi isha shumë rëndë. Kam qëndruar rreth 10 ditë i shtruar dhe kam marrë serume e medikamente sepse nuk më lëshonin ethet dhe të vjellat.
Kam qenë shumë keq dhe tani detyrohem ta ble ujin, sepse nëse konsumoj ujë të ndotur, jeta ime është në rrezik. Kemi mëse dy vjet që na sorollatin sa në një zyrë tek një tjetër dhe askush nuk merr përgjegjësinë. Komuna, Shëndeti Publik, prefekturë, të gjithë qëndrojnë indiferentë, pavarësisht se po helmohemi të gjithë pak nga pak. Ne paguajmë rregullisht taksa dhe çfarë marrin shpërblim? Krimba. Askush nuk do t’ia dijë se po lëmë paratë spitaleve, por secili shikon xhepin e vet dhe nuk u behet vonë. Nuk duam asgjë përveç ujë të pastër dhe pa pisllëqe. Jemi të gatshëm të paguajmë 2-fishin e vlerës, vetëm të kemi ujë si gjithë të tjerët. Duket sikur po jetojmë në mesjetë dhe jo në vitin 2015, nuk kemi ujin që është jetik për njeriun.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Etiketa: