Në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar Ditën e Vizitorëve me ç’rast u demonstruan edhe disa operacione ushtarake.

Ky ushtrim fushor u realizua në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë, ndërsa nga afër këtë ushtrim fushor e përcolli komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e komandantin e përgjithshëm të FSK-së, Bashkim Jashari.

Në këtë ushtrim fushor morën pjesë mbi 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se stërvitja fushore “Ujku i Çeliktë” dëshmoi përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Komandantja supreme teksa u shpreh shumë krenare për Forcën e Sigurisë së Kosovës tha se ky ushtrim fushor demonstroi qëndrueshmëri dhe guxim.

“Ushtarakë e ushtarake të ushtrisë tonë, stërvitja fushore ‘Ujku i Çeliktë’ është më shumë se një test shkathtësie, një demonstrim i qëndrueshëm, guximit dhe shpirtit të ushtrisë tonë e cila nuk zmbrapset asnjëherë pavarësisht sfidave. Nëpërmjet manovrave sulmuese, fortifikimeve mbrojtëse dhe operacioneve të stabilitetit ju dëshmuat sot përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës në çdo cep. ‘Ujku i Çeliktë’, personifikon instiktin e mprehtë dhe guximin e pa epur të secilit prej jush. Me operacionet sulmuese ju shfaqët shkathtësinë dhe guximin për ta tejkaluar çdo kërcenim me operacionet mbrojtëse ju treguar se përballë çfarëdo rreziku nuk lëkundeni”, tha Osmani.

Presidentja Shefja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se me këtë stërvitje fushore ushtarët e FSK-së dëshmuan se ushtria e Kosovës ka aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale sipas standardeve më të larta të vendeve të NATO-së.

“Ujku i Çeliktë’ le të jenë një kujtesë se ne nuk stërvitemi vetëm për përballje të sotme, por përgatitemi edhe për sfidat e së nesërmes. Ju stërviteni dhe validoheni për të qenë gati kurdo herë që shtrohet nevoja për t’i dal zot atdheut. Ju sot me demonstrimin tuaj dëshmuat fuqishëm se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti shtetërore mbrohen më ushtrinë e saj me aftësitë dhe kapacitetet operacionale e në ndërveprueshmëri të plotë me forcat aleate.

Sot dëshmuat edhe njëherë se ushtrinë tonë e kemi ndërtuar dhe jemi duke e zhvilluar më aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale sipas standardeve me të larta të vendeve të NATO-së dhe konfirmuar fuqishëm se jemi të gatshëm të marrin pjesë efektivisht në operacione profesionale”, u shpreh komandantja supreme, Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ushtrimi i sotëm është më i madhi dhe më i sofistikuari i Forcës së Sigurisë se Kosovës.

“Ky ushtrim përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse sikurse u dëshmua edhe sot dhe paraqet tregues të qartë të përkushtimit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë. E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht bëhet validimi i regjimentit të dytë të FSK-së duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejtë standardeve më të larta ndërkombëtare. Validimi i këtij regjimenti është tregues i qëndrueshmërisë dhe përcaktimit tonë për t’i forcuar kapacitetet tona mbrojtëse të cilat patjetër që garantojnë sigurinë dhe paqen në vendin tonë”, tha ai.

Kurti para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës tha se më ushtrimin e sotëm u tregua se Kosova po bëhet gati me zell të madh për Defender 2025.

“Një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern të cilët janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes….Ky ushtrim na tregoi se FSK është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale për aleatët e Kosovës.

Jeni garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta. Për ushtrim e në ushtrimin më të madh të NATO-së “Defender Europe 2025” kësaj radhe jo vetëm si pjesëmarrës, por edhe si nikoqir dëshmuam se po bëhemi gati me zell të madh e disiplinë të madhe. Ushtrimi ‘Ujku i Çeliktë’ nuk është thjeshtë një ushtrim i radhës, është një ushtrim që tregon shpirtin tuaj ushtarak”, u shpreh Kurti.

Në Ditën e Vizitorëve të realizuar në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, u ekspozuan edhe disa pajisje ushtarake të cilat i inspektoi nga afër komandantja supreme, Vjosa Osmani. /KP/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb