Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha sot se ai dhe homologu i tij polak, janë pajtuar se sanksionet ndaj Rusisë duhet të vazhdojnë, derisa Ukraina të mund të riktheje territorin e humbur, pas aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska më 2014.


I shoqëruar nga disa anëtarë të kabinetit të tij të ri, Zelenskiy po qëndron në Poloni, ku përveç takimeve me homologun e tij, do të marrë pjesë edhe në ceremoninë që shënon 80-vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, që do të mbahet të dielën. Pas takimit me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, Zelenskiy tha se të dy janë pajtuar që të ndërmarrin hapa që do t’i jepnin fund luftës në lindje të Ukrainës dhe kthimin e Gadishullit të Krimesë te Ukraina.


Presidenti polak Duda tha se e ka siguruar Zelenskiy për mbështetjen e tij sa i përket “sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës”. Duda tha po ashtu se Krimeja, por edhe pjesët lindore të Ukrainës – ku separatistët e mbështetur nga Rusia po luftojnë kundër forcave qeveritare ukrainase – “duhet t’i kthehet plotësisht kontrollit të Ukrainës”.


“Në këtë kontekst, ne besojmë se politika e sanksioneve (kundër Rusisë) duhet të vazhdojë”, tha presidenti i Polonisë.

Të dielën, Duda, Zelenskiy, nënpresidenti amerikan, Mike Pence dhe dhjetëra liderë botërorë do të marrin pjesë në ceremonitë që mbahen në Varshavë, për të shënuar 80-vjetorin e nisjes së Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimin e Polonisë nga Gjermania naziste. /Rel/

Etiketa: