Ukraina dhe Rusia shkëmbyen sulme me dronë gjatë natës dhe mëngjesit të 14 qershorit, një ditë pasi Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.

Forcat e Armatosura të Ukrainës (FAU) thanë se kundërajrorët e tyre i rrëzuan të gjithë 17 dronët e llojit Shahed, me të cilët Rusia i sulmoi shtatë rajone ukrainase.

Rusia i shkrepi gjithashtu edhe 17 raketa balistike dhe lundruese, gjysma e të cilave u rrëzuan, sipas FAU-së.

Nuk u raportua për viktima apo dëme.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj i rrëzuan 87 dronë ukrainas në pesë rajone, si dhe në Gadishullin e Krimesë që është uzurpuar nga Kremlini.

Si pasojë e sulmeve kishte pengesa në furnizimin me rrymë në rajonin Rostov dhe u dëmtuan cisternat e naftës në një depo nafte në Vorondezh, sipas autoriteteve lokale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: