KIEV- Disa orë pasi presidenca ukrainase deklaroi për ndërprerjen e plotë të luftimeve duke filluar nga 9 dhjetori, janë përgjigjur pozitivisht edhe separatistët rus, të cilët janë shprehur se do ta respektojnë armëpushimin në Ukrainën lindore.

“Dita e qetësisë do të fillojë më 9 dhjetor”, njoftoi presidenca në një komunikatë pas një mbledhje të presidentit Petro Poroshenko me krerët e ushtrisë dhe të forcave të rendit.

Autoritetet e dy republikave të vetëshpallura konfirmuan informacionet mbi ndërprerjen e luftimeve për agjencinë ruse “RIA Novosti”.

“Nëse kjo respektohet, tërheqja e armëve të rënda do të fillojë më 10 dhjetor”, theksoi një burim presidencial, sipas të cilit bëhet fjalë për procedurat e parashikuara nga marrëveshjet e paqes të nënshkruara në shtator në Minsk.

“Grupi i përbërë nga ushtarakë ukrainas dhe nga përfaqësues tanët ranë dakord me ndërmjetësimin e OSBE-së dhe të palës ruse për ndërprerjen e luftimeve më 9 dhjetor”, njoftoi presidenti i parlamentit të republikës së vetëshpallur të Donetskut, Andrei Pourguine, i cituar nga “RIA Novosti”.

Presidenti i Republikës së vetëshpallur të Luganskut, Igor Plotnitski, foli për një marrëveshje me gojë, duke theksuar se asnjë dokument nuk është firmosur ende mbi këtë çështje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb