Presidenti ukrainas i sapozgjedhur, Volodimir Zelenski theksoi se ukrainasit e kundërshtojnë ofertën e presidentit rus, Vladimir Putin për t’i dhënë atyre shtetësinë ruse, duke propozuar nga ana tjetër pasaporta ukrainase për rusët që vuajnë nga autoritarizmi i Putinit.

Presidenti rus njoftoi të shtunën se synon të lehtësojë dhënien e shtetësisë ruse për të gjithë ukrainasit, pasi kishte bërë këtë ofertë disa ditë më parë vetëm për banorët në rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

“Ne i japim shtetësinë ukrainase të gjithë personave të të gjitha kombeve ku vuajnë nën regjime autoritare dhe të korruptuara”, u përgjigj të shtunën në mbrëmje në “Facebook”, Zelenski, një komedia që u zgjodh president të shtunën e kaluar dhe që merr funksionet zyrtarisht në fillim të qershorit.

“Por mbi të gjithë për rusët, që vuajnë më shumë nga të gjithë”, shtoi ai.

Ai theksoi gjithashtu se “ndryshe nga ajo që ndodh në Rusi, ne, ukrainasit, kemi lirinë e fjalës dhe se media dhe interneti janë të lira në vendin tonë”.

I ri në politikë, Zelenski ka premtuar se do të rifillojë bisedimet me rajonet që janë vetëshpallur të pavarura në vitin 2014 dhe që Kievi me Perëndimorët akuzojnë Rusinë se i mbështet ushtarakisht, ndërkohë që Moska i mohon këto akuza.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb