Volodimir Zelenskiy, aktor satire në televizion, arriti fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës. Sondazhet e para tregojnë se ai ka marrë rreth tre herë më shumë vota se rivali Petro Poroshenko, i cili e pranoi humbjen mbrëmë.

Mbështetësit e zotit Zelenskiy thonë se vendi ka nevojë për një të njeri të papërzierë me politikën, për të luftuar korrupsionin e përhapur, por kritikët thonë se Rusia mund të përpiqet të përfitojë nga një mungesë përvoje e presidentit të ri.

Aktori 41-vjeçar i satirës, i cili nuk ka asnjë përvojë politike do të jetë udhëheqës i një vendi në luftë me Rusinë. “Ne e arritëm këtë së bashku. Faleminderit të gjithëve! Nuk do të mbaj fjalime patetike, thjesht dua t’ju them faleminderit,” tha President i zgjedhur, Volodimir Zelenskiy.

Zoti Zelenskiy arriti të bashkojë në një të vetme fushatën në mediat sociale me imazhin e tij si i jashtëm dhe të përfitojë nga zemërimi publik ndaj politikave vjetra të nepotizmit dhe korrupsionit.

Rivali i tij tashmë i mposhtur – Petro Poroshenko, i shprehu urimet e tij:
“Unë do të largohem, por dua t’ju njoftoj në mënyrë të vendosur se nuk do të largohem nga politika”.

Zoti Poroshenko më vonë shkroi në Twitter:
“Shihni festimet në Kremlin për rezultatin e zgjedhjeve. Ata besojnë se me një president të ri, pa përvojë, Ukraina mund të kthehet shpejt në orbitën e ndikimit të Rusisë “.

Megjithatë, ishte ritmi i ngadalshëm i reformave dhe dështimi për të përmirësuar standardet e jetesës që i kushtuan zotit Poroshenko një mandat të dytë, thotë analisti Anatoliy Oktysyuk:
“Fitorja e Zelenskiy-t është një referendum për mosbesimin ndaj ish-politikanëve.”

Kritikët theksojnë lidhjet e Zelenskiy-t me oligarkun në mërgim Ihor Kolomoisky, i cili akuzohet për mashtrim bankar dhe ka në pronësi kanalin televiziv që transmeton programin satirik të presidentit të zgjedhur.

Zelenskiy është zotuar të vazhdojë rrugën pro-perëndimore të Ukrainës, pesë vjet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe nga pushtimi i Ukrainës lindore.
“Unë mendoj se do të instalohet një model më pragmatik i bashkëpunimit me Rusinë, se gradualisht do të rivendoset një bashkëpunim ekonomik. Por konflikti nuk do të zgjidhet. Gjatë pesë viteve të fundit, ka pasur një çarje shumë të rëndësishme. Sapo Zelenskiy ta përpiqet ta kapërcejë atë, ai do të përballet me rezistencë nga radikalët, nacionalistët dhe kundërshtarët e tjerë politikë”, thotë Anatoliy Oktysyuk.

Zoti Poroshenko pritet të dorëzojë pushtetin muajin e ardhshëm – duke i dhënë komedianit që luante rolin e presidentit në televizion, mundësinë për të provuar sfidat e presidencës së vërtetë. Është një hap i madh në të panjohurën politike dhe një tregues se sa të dëshpëruar janë ukrainasit për ndryshim. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb