Analisti i njohur, Fatos Lubonja, ka deklaruar se nuk ka besim te SPAK, që pritet të ngrihet së shpejti për të goditur korrupsionin në nivelet më të larta politike.


Në rubrikën “Opinion”, në News24, Lubonja u shpreh se për Reformën në Drejtësi janë harxhuar 200 milionë euro, por sipas tij, gjithçka është një fasadë e tmerrshme, është një gjë ulëritëse.


Sipas tij, njerëz që janë marrë me trafikim femrash dhe me drogë vendosin për fatet e njerëzve, që “gjoja” drejtojnë Reformën në Drejtësi.


“Absolutisht që nuk kam besim te SPAK. Janë harxhuar 200 milionë euro për Reformën në Drejtësi, për Arta Markun. Marrin rroga nga 15 mijë euro këta të huajt që vijnë atje. E kuptoni apo jo? Kjo është një fasadë e tmerrshme, është një gjë që të ulërisësh. Del ai kriminel i Shkodrës, dhe ka shumë si ai, por asnjë nuk hetohet. SPAK është njëlloj si fjalimi i Ruçit sot në Kuvend, që tha se “demokracia liberale funksionon”.

Më vjen ta pyes këtë Gent Ibrahimin: Si pranon të punosh për kriminelët? Për çfarë punon, për ata paratë? Njerëz që janë marrë me trafikim femrash, të vendosin për fatet e tua. Njerëz që merren me drogë, vendosin për fatet e tua. E kuptoni këtë? Këta janë shërbëtorë, nuk janë njerëz të pavarur. Ibrahimi ka konflikt interesi, nuk duhet të ishte aty.

(d.ç./BalkanWeb)