Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi reagoi pasi kryeministri Edi Rama njoftoi uljen e çmimit të energjisë nga 9.5 në 8.5 lekë për familjet të cilat konsumojnë deri në 700 kilovat. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se ulja e çmimit të energjisë me 1 lek është tallje.

Ai solli në vëmendje se qeveria përgjatë 10 viteve e rriti çmimin e energjisë për konsumatorin në mënyrë që zv/kryeministrja Belinda Balluku të kishte më shumë të ardhura, siç u shpreh ai, për të vjedhur me tendera.

“Shqiptarët për shkak të abuzimeve të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në sektorin e energjisë paguajnë çmimin më të shtrenjtë të energjisë në rajon”, thekson Bardhi.

Whatsapp Image 2025 01 08 At 15.24.11
Whatsapp Image 2025 01 08 At 15.24.11

Reagimi i plotë

Edi Rama vazhdon të tallet me shqiptarët. Pasi e rriti çmimin e enrgjisë me 30 përqind, duke patur çmimin më të lartë në Rajon, sot quan historike që e ul me 1 lek për kilovat, por ndërkohë mbetemi përsëri vendi me çmimin më të lartë të energjisë se Kosova, Mali i Zi apo Bosnje Hercegovina!

Edi Rama mendon se qytetarët shqiptarë ushqehen 1 herë në çdo 4 vjet, paguajnë për energjinë elektrike 1 herë në çdo 4 vjet, apo marrin ilaçe 1 herë në çdo 4 vjet. Prandaj sa herë që ka zgjedhje bën sikur ul për qëllime mashtrimi elektoral atë që në fakt ka rritur po vetë sa herë përfundojnë zgjedhjet.

Ishte Edi Rama që rriti për 10 vjet çmimin e energjisë nga 7.4 lekë në 9.5 lekë, që Belinda Balluku të kishte më shumë të ardhura për të vjedhur me tendera dhe duke shitur më lirë e blerë më shtrenjtë energji jashtë Bursës së Energjisë, ndërkohë që sot thotë se është ditë historike që do bëjmë sikur ulim çmimin me 1 lek vetëm për 10 muaj sa të kalojmë zgjedhjet!

Ulja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë masë vetëm për 10 muaj, apo masë për mashtrim elektoral, por një masë e përhershme veçanërisht për familjet në nevojë apo me të ardhura mesatare. Sot shqiptarët për shkak të abuzimeve të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në sektorin e energjisë paguajnë cmimin më të shtrenjtë të energjisë krahasuar me vendet që blejnë energji nga Shqipëria. Për ilustrim në Kosovë çmimi mesatar i energjisë për konsumatorët familjar është 7 lekë për kilovat.

Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se Edi Ramës nuk i intereson as varfëria dhe as mirëqenia e qytetarëve. Edi Ramës i intereson vetëm pasurimi dhe mirëqenia e vetes, Belindës dhe një grushti të vogël oborrtarësh të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb