Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se ngjarja në Rinas është e rëndë, është kriminale, por sipas tij, nuk është cenuar Siguria Kombëtare.

Manja tha se të thuash se është cenuar Siguria Kombëtare është fjalë e madhe. Ai u shpreh se opozita bën propagandë dhe krijon panik te qytetarët.

“Grabitja është e rëndë si ngjarje. Kjo nuk vihet në diskutim. Ngjarja është kriminale, kemi të bëjmë me kriminelë të rëndomtë. Cenim i Sigurisë Kombëtare do të thotë kur kemi cenim të rëndë të Kushtetutës, kur preket popullata, kur situata del tërësisht jashtë kontrollit. Por në këtë rast nuk është situatë e tillë.

Ngjarja të hetohet në mënyrë shembullore. Të bëhen hetime për të gjitha bankat, kompanitë e transportit, kompanitë koncesionare dhe çdokush që ka qenë aktor. Prokuroria të hetojë të gjithë përgjegjësit, përtej grabitësve. Hetimet të thonë fjalën e vet. Inkurajoj policinë dhe prokurorinë që të çojnë deri në fund hetimet, duke zbardhur zinxhirin e përgjegjësisë penale. Është e rëndësishme që të punohet për kthimin e parave”, tha Manja.

Ulsi Manja u shpreh se përgjegjësia për grabitjen është komplekse dhe nuk është vetëm përgjegjësi e kinezëve. Manja shtoi se shteti duhet të ndërpresë kontratën me koncesionarin, ndërsa vlerësoi se prania e ushtrisë në Rinas ishte domosdoshmëri.

“Përgjegjësia për grabitjen në Rinas është komplekse. Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitësit, por çdokënd që ka përgjegjësi për rastin. Shteti duhet ta ndërpresë kontratën, e besoj se nëse e nd♪7rpret, koncesionari nuk ka çfarë të thotë pasi nuk ka zbatuar ato pika që thuhen në kontratë.

Uhstria duhet të shkojë në Rinas. Djemtë dhe vajzat më të mirë që kemi nuk kanë pse të shkojnë për misione paqeruajtëse vetëm në Afganistan e gjetkë, por më së pari të ruajnë sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Me në ligj të miratuar në parlament, Policia ushtarake është në varësi të Shtabit të Përgjithshëm dhe i lejohet patrullimi”, u shpreh Manja.

Për Ulsi Manjën, ngjarja në Rinas dëmtoi imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb