TIRANE

Banorët e Unazës së Re janë ngritur edhe sot kundër projektit të “Unazës së Madhe”, nga i cili rrezikojnë shembjen banesat dhe pronat e tyre.  Në ditën e 99  të protestës së tyre, ata kanë mbjellë pemë duke kundërshtuar në këtë mënyrë shkuljen e tyre, një ditë më parë nga policia bashkiake.

Pemën e parë banorët e quajtën Ardit Gjoklaj,  emri i  17-vjecarit të gjetur të vdekur në landfillin e Sharrës.  Ndërkohë me thirrjet e tyre ata shprehen që kryebashkiaku Erion Veliaj s’duhet të guxojë ta prekë.

Protestës së tyre i janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, si të PD-së ashtu edhe  nga LSI. Deputeti demokrat, Klevis Balliu nga protesta u shpreh se kryeministri Edi Rama ka kohë deri më datë 15-shkurt që të largohet nga Shqipëria.

“Kjo është arsyeja pse qytetarët janë në protestë, janë kundër kësaj monstre që i ka rrjepur qytetarët shqiptarë. Siç thotë edhe Unaza, tik tak, zoti kryeministër se ke kohë deri me 15, që të largohesh nga ky vend. Në këtë vend të bekuar nga zoti, nuk ka vend për tradhëtarët.

Do i bëja thirrje çdo qytetari dhe çdo efektivi të policisë për t’u ngritur kundër krimit, kundër këlyshve të Enver Hoxhës, për të mirëkthyer mirëqënien tonë si popull”, u shpreh ai.

Një nga banorët  u shpreh se projekti është kriminal dhe nuk do lejojnë policinë bashkiake të prekë pemët.

“Banorët e Unazës së Re janë  kundër projektit, një projekt kriminal. Është dita e 99 këtë e bejmë për t’i treguar Erion Velisë dhe G99, Elisa Spiropalit se këto janë  pronë e Unazës së Re. Nuk ka polici as bashki që guxon  t’i prekë ato pemë. Le të guxojë kush t’i prekë një pemë banorëve”, u shpreh një nga banorët për gazetarin e News 24, Erion Skendaj.

Ambjentalisti Sazan Guri i pranishëm në këtë protestë e cilësoi të panevojshëm projektin e “Unazës së Madhe”.  Në një prononcim për gazetarin Erion Skendaj ai tha se në vend të këtij projekti, Rama fare mirë mund të bëjë rrugën nga Rrogozhina në Pezë, në mënyrë që të kalojnë më pak makina në atë rrugë.

“Me këtë rast meqë m’u dha mundësia për të thënë diçka. Zoti kryeministër të takon të bësh rrugën nga Rrogozhina në Pezë dhe ate në kombinat, që të kalojnë më pak makina në këtë rrugë. Projekti është i tepërt. Vëmë edhe bast, në qoftë se ky projekti do vendoset në  oponencë në një zyrë inxhinierike do dalë i panevojshëm. Kjo unazë është e panevojshme”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb