TIRANE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ka munguar as në ditën e 37 të protestës së banorëve të Astirit kundër prishjes së banesave nga projekti i Unazës së Re.


Sërish lideri demokrat i vuri emra fajtorëve të asaj që ai e quan vjedhje rekord. Kryeministri Rama dhe kreu i ARRSH, Afrim Qëndro janë përgjegjësit kryesorë, thotë ai.



“Kjo aferë është bërë me Edi Ramën dhe ai ka marrë drejtëpërdrejtë përfitimet,” tha Basha.

“Kjo që po ndodh është pasojë e degjenerimit total të qeverisjes, shqiptarët s’po e mbajnë më dot keqqeverisjen.

40% e shqiptarëve nuk ngrohin dot shtëpitë e tyre. Pensioni nuk mjafton as për të blerë bukë

Për të mundësuar këtë vjedhje rekord 40 mln euro janë turrur mbi banorët, dhe po të mos ishte për qëndresën e banorëve dhe mbështetjen që i dha opozita e bashkuar, sot këto shtëpi do ishin shembur.

Nuk mjaftohen me vjedhje por do bëhet dhe për pastrim parash. Lëshojnë gojën me ofendime e kërcënime, duke i burgosur e joshur me të gjitha mënyrat.

Megjithatë duhet ta zgjidhë drejtësia këtë punë, po as drejtësi s’ka. A i ka marrë në pyetje Prokuroria të akuzuarit?

Kryeminsitri Edi Rama dhe kreu i ARRSH, Afrim Qendro janë përgjegjësit kryesorë për këtë vjedhje.

Kjo është radiografia si funksionon qeveria e Edi Ramës,” tha Basha.

Kreu i PD-së nga Unaza e Re, nuk kurseu akuzat edhe për ndërkombëtarët, sipas të cilit disa përfaqësues të lartë, janë blerë nga paratë e drogës.

“Bëhen për të grabitur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nuk ka para për të rritur cilësinë e mirëqenies së studenteve, se këto para vidhen grabiten. Në 5 vite është rritur çmimi i energjisë dhe taksave, por gjithë këto para nuk shkojnë për investime, por këto para zhduken duke shkuar për sheikët e Ballkanit, duke filluar nga sheiku i Surrelit. Kjo shpjegon pse studentët nuk tërhiqen.

Tani janë ngritur për të kundërshtuar edhe një tjetër projekt. Paratë e drogës janë bërë për të blerë shumë faktorë, edhe faktorë përfaqësues ndërkombëtarë.

Jemi në një situatë, ku i gjithë vendi është në kolaps. Ajo që mundëson vjedhjen është propaganda që mundësohet edhe nga disa media. Ne bëjmë politikë,kundër grabitjes, jemi këtu me qytetarët të ndërtojmë një alternativë. Alternativa nuk mund të jetë vetëm largimi i Edi Ramës.

Jemi krah qytetarëve që edhe dje janë dhunuar, kanë sjellur fadrimat. Jemi këtu për të sjellë një alternativë, Ramës ia ka zënë sytë karrikia, karrikia tepsia aty e ka mendjen.

Ashtu tani mendon se mund të kthejë lëvizjen studentore në një instrument për të kapur universitetin. Por, qytetarët e kanë kuptuar që ky sistem është i kalbur, shpëtimi do vijë vetëm përmes asaj që i bashkon, dëshirës për të pasur një Shqipëri si gjithë Europa.

Të funksiononte, drejtësia, sot duhet të ishin arrestuar zyrtarë të lartë të shtetit, duhet të bënin burg. Unë e di dhe ju e dini fare mirë, se ne Europë nuk shkohet duke vjedhur, apo duke mashtruar popullin. Këtu prishet ligji për të kapur ata para.

Ndaj mendoj se përtej shembjes së sistemit arsimor, është paraprije për të shembur sistemin e ngritur nga Edi Rama, një sistem oligarkik, që kanë vjedhur gjithçka. Kjo është domethënia e protestës së Unazës së Re, kudo që protestojnë qytetarët. Do vazhdojnë të kenë mbështetje tonë të plotë”, u shpreh Basha.

I pyetur nga gazetarët nëse do ketë denoncime të reja, Basha tha se afera e Unazës është mjaft e thellë, dhe hap pas hapi do zbulohen fakte tronditës. Kreu i PD-së, u shpreh i bindur se Rama po bën zhvendosjen masive të planit urbanistik, për të mundësuar investimin e parave të drogës.

“Unaza e Re është një aferë shumë thellë dhe hap pas hapi po zbulohen detaje tronditëse. Pasi t’i shemben shtëpitë, faktorët e krimit do të ndërtojnë pallate shumëkatëshe, paratë e të cilëve do t’i ndajnë me kupolën e krimit, Ramën dhe Veliaj.

Ata janë përfshirë në një zhvendosje masive të planit urbanistike, për t’i mundësuar investimin e parave të drogës”, u shpreh Basha.

 (e.f/j.d/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: