TIRANË

Ndërtimi i “Unazës së Madhe” në Tiranë do të shoqërohet me prishjen e një numri të madh ndërtesash, të cilët janë të vendosura përgjatë gjithë segmentit nga “Pallati me Shigjeta” tek sheshi “Shqiponja”.


Detaje të projektit dhe të zbatimit të tij në terren u dhanë përmes një konference për mediat nga Afrim Qendro, drejtor i ARRSH, Dallendyshe Bici, drejtoresha e IKMT, Arbi Mazniku, nenkryetar i Bashkisë Tiranë, Valdrin Pjetri, drejtor i pergjithshem i ZRPP si edhe Indrid Konomi, nendrejtoreshe e pergjithshme e ALUIZNI-t.

Kreu i ARRSH-së,  Afrim Qendro tha se ky rikualifikim do të shoqërohet me prishjen e disa objekteve. Ai shtoi se ky projekt është me rëndësi 100 vjeçare, ndërsa ndërtimi sipas tij do të shoqërohet me  të gjitha elementët urbanë. Sipas kreut të ARRSH-së, nga verifikimi në terren janë konstatuar 317 objekte që preken nga projekti.


Qendro pohoi se ndërtesat të cilat janë në proces legalizimi do të bllokohen menjëherë, ndërsa të tjerat që kanë një dokument pronësie, do të shlyhen financiarisht pas verifikimeve në terren.


“Projekti është me rëndësi 100-vjeçare dhe do të shoqërohet me të gjithë elementët urbanë. Kemi dalë në terren dhe kemi bërë vlerësimin paraprak. Nga ky kontroll na del se në total janë 317 objekte, të cilat 163 janë në proces legalizimi, të cilat do të jenë të s’kualifikuar dhe 123 objekte janë me vërtetimi pronësie. Janë edhe objekte të tjera që nuk ka informacione të detajuara. Për objektet, kemi dy kategori objektesh, me dokumente pronësie dhe në proces legalizimi”, tha ai.

E pranishme në konferencën për mediat, drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, tha se është bërë identifikimi i objekteve që preken në kuadër të zbatimit të këtij projekti.

“Kemi bërë identifikimin e objekteve që preken nga gjurmët e objektet. Jemi në fazën fillestare të identifikimit. Të gjithë grupet e punës do të jemi në terren me fillimin e procedurave ligjore deri në vendimmarrjen e tyre”- u shpreh Bici.

Ndërkohë Hipoteka ka ngritur një grup pune, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që kërkojnë informacion për projektin. Drejtor i pergjithshem i ZRPP, Valdrin Pjetri u shpreh se është bërë një verifikim i pronave që prek ky projekt ndërsa po punohet për pjesën tjetër të ndërtimeve.

“Pa dyshim, sa herë kemi projekte të këtij tipi ka gjithmonë problematika me shpronësimet, ka gjithmonë problematika me njerëz të cilët kanë ndërtuar aty dhe kanë qenë në proces legalizimi. Çdo person i cili ka një dokument hipotekor  për banesën ose biznesin e tij që preken nga projekti do të marrë dëmshpërblim sipas ligjit. Të gjithë ato familje të cilat janë në proces legalizimi dhe do të duhen të skualifikohen si rrjedhojë e këtij projekti nga legalizimi, Bashkia Tiranë do ti trajtojë me një nga programet e mbështetjes për banesë. Do ti trajtojmë me një procedurë të posaçme për bonusin e qerasë në mënyrë që të kemi mundësi ti kalojmë me procedurë më të shpejtë, të mos kenë të gjitha dokumentet që duhen për procedura e bonusit të qerasë dhe të aprovohen sa më shpejt në Këshillin Bashkiak, që të kenë mundësi që automatikisht të përfitojnë bonuesin e qerasë për një periudhë të paktën 1 vjeçare por që ka mundësi që edhe të rinovohet më pas, sa të gjejnë mundësinë që të menaxhohen në banesa të reja. Do të kenë sërish një linjë prioritare në të gjithë programet e tjera të banesave sociale apo të banimit që Bashkia Tiranë ka”, nënvizoi nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Mazniku.

Më tej, ai sqaroi rëndësinë që ka projekti i Unazës për të zgjidhur problematikën e trafikut në kryeqytetit.

“Ky është një projekt që ka një rëndësi vitale për lëvizjen e trafikut në qytetin e Tiranës. Është ndoshta projekti  më i rëndësishëm infrastrukturor i këtij momenti, i cili është duke u zbatuar në qytetin e Tiranës. Na siguron me përfundimin e tij lëvizje të pandërprerë, pa ndalesa nga segmenti i mbikalimit të shkollës teknologjike tek shqiponja. Një element që çdo qytetar që lëviz sot në këtë aks e ka dalluar vet vonesën dhe kohën e ngrënë, karburantin e  harxhuar e tymin e krijuar në këtë aks i cili është ndër akset më të ngarkuar në mos më i ngarkuari i qytetit të Tiranës”, nënvizoi Mazniku.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb