TIRANE – Unaza e pilotit anglez, Xhon Tompson, që humbi jetën në Kaptinë të Martaneshit në tetor të vitit 1944 gjatë Luftës II Botërore, iu dorëzua sot motrës së tij, znj. Dorothy Webster, si një amanet i lënë nga Jaho Çala, shqiptari që e gjeti atë unazë në vitin 1960.

Sot, në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua një ceremoni sa e veçantë aq edhe mbesëlënëse. Në qendër të kësaj ceremonie ishte akti i dorëzimit të unazës së pilotit anglez, rreshterit Xhon Tompson, rënë në krye të detyrës gjatë Luftës së Dytë Botërore, në tetor të vitit 1944, në Kaptinë të Martaneshit.

Unaza e tij ishte gjetur rastësisht rreth viteve 1960 nga Jaho Çala, i cili ia kishte lënë amanet të birit të tij, Xhemil Çala, që ta ruante me kujdes dhe kur të vinte rasti të gjente mundësinë për t’ia nisur të afërmëve të tij. Në këtë unazë martese ishin të shkruar inicialet “Xhon dhe Xhois”. Me ndërmjetësinë e Ambasadës Britanike në Tiranë dhe Ambasadës Amerikane u bë e mundur identifikimi i kësaj unaze dhe lidhja me familjarët e ish-pilotit të vrarë në Britaninë e Madhe.

download

Ceremonia ka nisur me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar dhe Himinit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Më pas, z. Muhamet Aliçka, personi që kontaktoi me Ambasadën Britanike, tregoi shkurtimisht historinë e kësaj unaze. Folën gjithashtu edhe nipi i pilotit të vrarë britanik, z. Alan Webster, si dhe ambasadori britanik, z. Nicholas Cannon.

Duke marë fjalën në këtë ceremoni ministrja e Mbrotjes Kodheli, theksoi se, sot jemi mbledhur për të përkujtuar një ngjarje të trishtë të Luftës së Dytë Botërore, si shumë të ngjashme në ato ditë të errëta të njerëzimit. Rreshteri britanik Xhon Tompson, në një ditë të ftohtë të tetorit 1944 humbi jetën kur avioni i tij “Halifax” u përplas në malet shqiptare pas furnizimit që u kishte bërë njësive tona në luftë me okupatorin nazist. Djaloshi 23 vjeçar dha jetën për një kauzë të përbashkët dhe ne sot po kujtojmë të gjithë ata që bënë sakrificën finale për vendet tona, po kujtojmë dëshmorët e rënë që nuk u kthyen kurrë tek miqtë dhe familjet e tyre. “Liria është një dhuratë e çmuar, të cilën ne e gëzojmë çdo ditë, por rrallë kujtojmë çmimin njerëzor që kemi paguar për ta pasur,” tha ministrja.

Sipas saj, “ndoshta kjo histori do të ishte zgjidhur më shpejt nëse Shqipëria nuk do të ishte vetë-izoluar për 45 vjet. Por kjo nuk ishte në dorën e asnjërit prej nesh këtu të pranishëm dhe të paktën, familja e rreshterit të ndjerë ka diçka për ta kujtuar.” Me këtë rast, znj. Kodheli ka falënderuar përzemërsisht familjen Çala, për mbajtjen gjallë të kujtimit të një të rëni për çlirimin e Shqipërisë si dhe znj. Webster, e cila ndonëse në një moshe të thyer ishte e pranishme në këtë ceremoni. “Sakrifica e tij sublime do të jetë e paharruar. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, përfundoi fjalën e saj ministrja Kodheli.

Më pas, Xhemil Çala, djali i Jaho Çalës, i dorëzoi unazën motrës së pilotit të vrarë, Xhon Tompson, znj. Dorothy Webster. Ministrja Kodheli i dorëzoi znj. Webster një kuti me një pjesë të avionit dhe gurit të malit të Sinojit, ku ishte rrëzuar mbi 70 vjet më parë avioni. Po kështu znj. Kodheli i akordoi “Çertifikatën e Mirënjohjes” z. Jaho Çala, e cila iu dorëzua të birit, z. Xhemil Çala. Gjithastu edhe nga pala britanike u dhanë disa dhurata simbolike, si dhe letra mirënjohje të dërguara nga Forcat Ajrore Britanike për familjen Çala. Ceremonia u mbyll me një foto të përbashkët përballë godinës së Ministrisë së Mbrojtjes.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, z. Nicholas Cannon, nipi dhe motra e pilotit rënë në krye të detyrës Xhon Tompson, familjarë dhe të afërm të familjes Çala etj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: