TIRANË

Ndërtimi i unazës së madhe të Tiranës, segmenti  verilindor, Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit, ka mbetur në vend duke mos avancuar asnjë metër asfalt prej të paktën dy vitesh. Në farkë,  ku nis loti i dyti i unazës, kompania ‘Albavia’ nuk ka mundur të përmbyllë as 100 metra rrugë, punë e nisur në vitin 2016.

Disa automjete të kompanisë ndërtuese qëndrojnë të parkuara brenda kantierit ku nuk sheh syri këmbë punëtori.

Në gjithë gjatësinë e gjurmës së unazës nga Farka në Shkozë ka shumë pak automjete të rënda që lëvizin në trasenë gjysmake e cila ndërpritet në shumë pika nga objektet e banimit ende të pashpronësuara.

Pronarët e objekteve pohojnë se nuk janë shpërblyer ende duke përmendur si shkak mungesën e parave në buxhetin e qeverisë.

Banorët kundërshtojnë masën e dëmshpërblimit të vendosur nga qeveria  të cilën e cilësojnë tepër të ulët krahasuar me rivlerësimin e bërë nga hipoteka.

Në total loti i dytë i unazës së jashtme krahu verilindor ka një gjatësi afër 2.4 kilometra dhe nis nga fusha e helikopterëve në farkë dhe përfundon pas ish-Unizinës së Autotraktorëve në Shkozë. Kompania ndërtuese është ‘Albavia’ në bashkëpunim me dy kompani të tjera ‘Favina’ dhe ‘Alpin SRL’. Në faqen zyrtare të ARRSH si dhe në tabelën e vendosur në hyrje të kantierit në Farkë është shkruar data e fillimit të punimeve qershor 2013 ndërsa data e përfundimit është përcaktuar muaji korrik 2020. Por e shkruara në letër dhe parashikimet janë shumë larg realitetit pasi kompania ndërtuese nuk ka mundur të kryejë as gjysmën e volumit të punimeve në  kilometrat e para nga Farka deri në Shkozë, ndërsa për pjesën e mbetur deri në Babrru punimet nuk kanë nisur, madje as lirimi i shtratit të rrugës që ndërpritet nga qindra objekte, kryesisht banesa.

Të njëjtin fat ka edhe loti i tretë që nis nga Shkoza e deri ku bashkohet me Bulevardin e Lumit Lana pranë maternitetit të ri.

Punimet duhet të kishin nisur që në 2013 por faktikisht mjetet e kompanisë ndërtuese u panë në shtator të 2017 pas largimit forcërisht të shumë familjeve që preken nga projekti të cilat u skualifikuan nga procesi i legalizimit.

Fillimisht puna nisi me shumë vrull sa u krijua idea se rruga do të përfundonte brenda afateve, por kanë kaluar 2 vite dhe nuk është përmbyllur asnjë kilometër asfalt.

Sikundër në lotin e dytë dhe në lotin e tretë punimet kanë mbetur në tako dhe nuk punohet thuajse fare prej afro një viti c’ka ka vështirsuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në pjesën e urës së vjetër të Shkozës ku kompania ka ndërtuar dy struktura betoni gjysëm hark që janë pjesë e rrethrotullimit të ri të projektuar.

Objekti ka një gjatësi të përgjithshme rreth 3.08 kilometra dhe do të kushtojë 2.33 miliard lekë. Segmenti është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë me gjatësi 1.51 km dhe gjerësi 22 metra është vazhdim i Unazës që vjen nga Farka dhe përfundon ne Jug te Ish Uzinës se Autotraktoreve. Ndërsa pjesa e dytë me  gjatësi 1.57 km dhe Gjerësi të Kurores 69, 2m fillon pak mbi Maternitetin e Ri të Tiranës duke ndjekur rrjedhën e sipërme të lumit Lanë derisa bashkohet me Unazën e Madhe. Në këtë pjesë rruga ka të përfshirë në mes lumin Lana me gjerësi kurore 33.6 ml  dhe e betonuar  me gjerësi 10.6 ml.

Ndërtimi i veprës i është besuar Bashkimit të përkohshëm të dy kompanive “Gjoka Konstruksion dhe Gjikuria”. Dy kompanitë ndërtuese kanë detyrimin ligjor që ta përfundojnë rrugën brenda vitit 2020 një mision dukshëm i pamundur nisur nga ecuria e deritanishme e punimeve si dhe fakti kryesor, mos dëshpërblimi prej dy vitesh i qindra banesave që preken nga projekti si dhe përplasjet e shpeshta me banorët që nuk përfitojnë pasi banesat e tyre janë skualifikuar me vendim nga procesi i legalizimit.

Ndërkohë në lotin tjetër që nis nga qendra tregtare TEG deri në Farkë ka përfunduar tërësisht asfaltimi dhe vizimi i rrugës 4.7 kilometra, por ky segment nuk është i aksesueshëm për automjetet pasi në dhjetor të 2017 kompania ndërtuese vendosi hyrje daljet me blloqe betoni ditën që rruga u inaugurua nga ish ministri i transporteve Damian Gjiknuri.

Për të njëjtën cështje ish drejtori i rrugëve Dashamir Xhika do të deklaronte në 2016 se shteti nuk ka fonde për të financuar ndërtimin loteve të reja të unazës së madhe dhe se ndërtimi i lotit të parë nga Teg-u në Farkë është bërë me paratë e vetë kompanisë.

Në gusht të vitit 2018 kryeministri publikoi projektin 3D të segmentit verilindor të unazës së madhe duke bërë me dije se kontratat ishin lidhur dhe se puna vijonte në vjeshtë. Por ka kaluar një vit dhe pamjet dëshmojnë se projekti  është braktisur dhe se me këtë ritëm dhe financim është e pamundur të përfundojë brenda vitit 2020 sikundër shkruhet në kontratën e lidhur.

Nga ana e tij Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zgjedhur të heshtë dhe të mos japë asnjë informacion për këtë investim madhor që zvarritet prej 6 vitesh për mosfinancim nga qeveria.

Nëse bëjmë një  bilanc të thjeshtë të ecurisë së deritanishme të veprës më madhore për kryeqytetin mund të themi se në 20 vite janë ndërtuar dhe certifikuar vetëm 5.6 kilometra rrugë, që nisin nga pallati me Shigjeta deri në Lundër. 4.7 kilometra të tjera nga qendra TEG deri në Farkë të Madhe nuk kanë korsi emergjence, një kriter bazik i projektit që daton që prej vitit 1988.

Pjesa tjetër, 2.2 kilometra që njihet si unaza e Astirit nuk mund të quhet më e tillë.  Prej disa muajsh ARRSH ka  cmontuar senjalistikën dhe ndricimin për t’i hapur rrugë projektit të hartuar në fshehtësi të plotë në korrik të 2018 pas të cilit fshihej një megaskandal që provokoi revoltën e banorëve të zonës e cila vijon dhe sot. Pas denoncimit të aferës korruptive në Neës24 tenderi i parë u anullua ndërsa rruga nuk dihet se kur do të nisë e aq më pak se kur do të përfundojë.

Ndërkohë pjesa e tjetër e projekt idesë së unazës së jashtme të Tiranës me gjatësi afër 7 kilometra që nis nga Shkoza në Babrru dhe përfundon tek Sheshi Shqiponja nuk ka ende një studim të detajuar e të miratuar c’ka e bën të pamundur cdo parashikim të mundshëm.

Pra me fjalë të thjshta sot Tirana ka një cerek unaze të përfunduar funksionale me gjatësi 5.6 kilometra ndërsa mbeten edhe 16 kilometra të tjera me shpresën për t’u bërë një ditë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb