TIRANE

Partia Demokratike ka  publikuar të tjera dokumente, sipas të cilës thellojnë akoma më shumë skandalin e ARRSH me aferën e Unazës së Madhe.

Përmes dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Antikorrupsionit, PD pretendon se  ARRSH ka ndryshuar kriteret, për të favorizuar firmën ‘Gjoka Konstruksion’, në lotin e parë të Unazës së Madhe që shtrihet nga ‘Pallati me shigjeta’ te ish-rrethrrotullimi ‘Shqiponja’.

Whatsapp Image 2019 01 14 At 17.12.21

Deklarata e PD

Në përgjigje të reagimit të dëshpëruar të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ky i fundit, meqë ka marrë përsipër barrën e rëndë të pastrojë të papastrueshmet e kryeministrit-urdhërues, duhet të sqarojë: Përse gënjen publikisht kur deklaron se “Kriteret dhe kërkesat ligjore në këtë garë, të publikuara edhe në Agjencinë e Prokurimit Publik janë të njëjtat me ato të garës së mëparshme për të njëjtin lot të unazës dhe nuk ka ndryshuar asnjë prej tyre.” ?

Përse kriteri për paraqitjen e licencës u ndryshua nga licenca NP – 12/G Punime të inxhinierisë së mjedisit, në licencën NP – 12/F Punime të inxhinierisë së mjedisit? Në tryezën e pazarit është vënë licenca që Gjoka Konstruksion disponon, pra NP – 12/F Punime të inxhinierisë së mjedisit dhe kjo e ka shtyrë ARRSH të rrëshqasë në rrjedhën e paligjshmërisë së nisur në shtator 2018.

Faktet e mësipërme janë zyrtarisht të publikuara në sistemin e prokurimit publik elektronik dhe, pavarësisht kësaj, ARRSH-ja, nën urdhrat e kryeministrit, merr përsipër të deklarojë fals, pasi nuk u mjaftua me tentativën për t’i dhuruar tender kompanisë fantazëm me dokumente po false. Me ketë deklaratë që paraqet fakte të rreme, ARRSH-ja nuk bëri gjë tjetër, veçse vërtetoi denoncimin e sotëm të PDSH.

(SQARIM: NP-12/G eshte per punime inxhinierike mjedisi me vlere punesh mbi 800 milione leke te reja NP-12/F eshte per punime inxhinierike mjedisi me vlere punesh nga 401-800 milion leke te reja.)

REAGIMI I ARRSH
Pas deklaratës së PD ka reaguar sërish Autoriteti Rrugor Shqiptar. ARRSH thotë se Partia Demokratike spekulon qëllimisht për ndryshimin e kriterit “NP – 12/G Punime të inxhinierisë së Mjedisit” në “NP -12/F Punime të inxhinierisë së Mjedisit”.

DEKLARATA E PLOTË
Autoriteti Rrugor Shqiptar i qëndron plotësisht deklarimeve të bëra sot se kriteret e përcaktuara në “Dokumentet Standarte të Tenderit” kanë qenë të njëjtat si në tenderin e parë ashtu edhe në ritenderimin që po zhvillohet aktualisht.

Partia Demokratike spekulon qëllimisht për ndryshimin e kriterit “NP – 12/G Punime të inxhinierisë së Mjedisit” në “NP -12/F Punime të inxhinierisë së Mjedisit”. Çdo ndryshim ka ndodhur me kërkesën e Agjencisë së Prokurimit Publik që përpara tenderit të parë, me kërkesën datë 11.09.2018. Ky kriter ashtu sikurse çdo kriter tjetër ka qenë i njëjtë si në tenderimin e parë të datës 17.10.2018 ashtu edhe në ritenderimin e datës 14.01.2019.

Riktheksojmë se asnjë kriter nuk ka ndryshuar nga tenderi i parë deri në atë të dytin dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht nga çdokush pranë Agjencisë së Prokurimit Publik.
Më në detaje, Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron sa vijon:
ARRSH në cilësinë e Autoritetit Kontraktor ka shpallur garën për “Rehabilitimi i segmentit rrugor Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 1” në datën 10.09.2018. Sipas kësaj shpalljeje, afati për dorëzimin e ofertave ishte 12.10.2018, ora 10:00.

Me datë 11.09.2018, Agjencia e Prokurimit Publik ka bërë për Autoritetin Kontraktor rekomandime në lidhje me kriteret e veçanta për procedurën: “Rehabilitimi i segmentit rrugor Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 1”.

Mbi bazën e këtyre rekomandimeve, Autoriteti ka bërë ndryshime në Dokumentat Standarte të Tenderit dhe ka njoftuar Operatorët Ekonomik nëpërmjet sistemit për këto ndryshime.

“NP – 12/G Punime të inxhinierisë së Mjedisit” ndryshuar në “NP – 12/F Punime të inxhinierisë së Mjedisit” si dhe “Xhiro mesatare financiare vjetore pa TVSH “ ndryshuar në “Xhiro mesatare financiare vjetore”.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, bazuar në nenin 62 të V.K.M nr.914 dt.29.12.2014 është zgjatur afati për dorëzimin dhe hapjen e ofertave. Afati i dorëzimit dhe hapjes së ofertave ishte 12.10.2018 ora 10:00 dhe u bë 17.10.2018, ora 10:00.

Ndryshe nga sa pretendon Partia Demokratike, në garën e parë përpara të cilës janë bërë dhe ndryshimet e kritereve nuk ka marrë pjesë asnjë subjekt i cili rezulton ofertues në ritenderimin aktual. Pra, faktohet se ndryshimi i dy kritereve përpara garës së pare ka patur si qëllim të rrisë mundësinë për pjesëmarrje sa më të gjërë dhe nuk ka favorizuar asnjë subjekt.

Pas anulimit të kontratës për Lot 1, ARRSH ka rishpallur garën me të njëjtat Dokumente Standarde të tenderit, pa ndryshuar asnjë kriter. Gara e ritenderimit u shpall në 14.12.2018 dhe ofertat u pranuan në datën 14.01.2019, ora 11:00.

Ligji i Prokurimit Publik krijon të gjitha hapësirat që operatorët ekonomik të interesuar, në rastet kur nuk janë dakord me kriteret ankohen pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). Pavarësisht se hapësira ligjore ka ekzistuar, asnjë operator nuk ka bërë ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb