TIRANE

Qytetarë të zonës së Astirit në Tiranë, banesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Re kanë protestuar para Komisariatit numër 6 në kryeqytet, pas ndalimit nga policia të 6 prej protestuesve mbrëmjen e djeshme pasi bllokuan rrugën.

Banorët që protestojnë prej 5 muajsh shprehen se protesta mbrëmë ishte e ligjshme dhe se ata kërkojnë anulimin e projektit të Unazës si dhe lirimin e të arrestuarave. Ata thonë se nuk do ndalen deri në anulimin e projektit dhe protesta do përshkallëzohen duke bllokuar rrugën për 24 orë.

“Ne jemi të gjithë të barabartë dhe të gjithë kemi marrë pjesë në protestë. Ne kemi marrë guximin dhe po kërkojmë anulimin e projektit dhe asgjë më tepër. Ne kemi qenë paqësorë, por po ua themi se nuk do ketë më paqësorë dhe do habiten duke thënë si kemi qenë ne kaq të urtë. Kjo ishte për të na provokuar, por nuk ja dalin dot. Ne do përshkallëzojmë protestat dhe nuk dorëzohemi. Do bllokohet 24 orë ajo rrugë dhe ju kërkojmë ndjesë përdoruesve, por kjo është rruga e vetme. Vetëm me protesta mund të fitojmë. Protesta mbyllet kur të anulohet projekti”- thotë një nga protestuesit.

Sakaq një tjetër protestuese thotë se banesat e tyre do prishen kur policia të kalojë mbi trupat e tyre.

“Protesta jonë është e ligjshme. Kur të shkelin mbi trupat tanë atëherë do vijën të prishin banesat. Kur u bë një vjedhje 40 milionë euro dhe nuk ka asnjë të dënuar, merren me ne. Të na lënë rehat në shtëpinë tona. I kemi paguar taksa për 30 vjet”- u shpreh banorja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb