Unaza e re, zgjerimi i Lanës dhe përfundimi i Bulevardit të ri janë tre nga frontet e punës së Bashkisë së Tiranës për katër vitet e ardhshme që do i japin kryeqytetit jo vetëm një imazh të ri, por edhe një impuls gjithë ekonomisë.  Në takimin e Këshillit Ekonomik të Tiranës, Kryetari i Bashkisë  Erion Veliaj deklaroi se zona e Bulevardit të ri  do të projektojë Tiranën e gjeneratës së ardhshme.  “Siç e keni vënë re kemi përfunduar punimet në bulevardin e ri, një tjetër projekt fantastik por që viktimizohet nga gjithë këto cic-micet politike dhe gjithë përdorimi politik i këtyre investimeve. Dua t’ju garantoj për një gjë, që bashkë me kryeministrin , qeverinë, Bashkia e Tiranës është e vendosur që çdo projekt që ndihmon në hapjen e vendeve të punës dhe ekonomisë do të ecë përpara. Kjo përfshin Unazën e Re, zgjatimin e Lanës, bulevardin e ri, të gjitha frontet e punës që hapen për shqiptarët, duke garantuar trajtim social edhe të atyre që kanë shkelur ligjin, pra që kanë ndërtuar në gjurmë të bulevardit të ri apo Lanës, në gjurmë të Unazës së Madhe. Kush ka pronë do të marrë kompensim, kush ka nevojë për shtëpi, do të marrë shtëpi, siç e kanë marrë, më pas kush do të vijojë lojën e vet politike është i lirë ta bëjë, por nuk do ketë frenim të punëve”, tha Veliaj.

Në Bulevardin e ri është rritur interesimi i bizneseve për të investuar. “Ajo që po shohim tek bulevardi , për ata që kanë qenë në Paris, do i ngjajë pak a shumë “La Defence” si koncept, pra zhvillimi kryesisht i industrisë së financave dhe teknologjisë por edhe telekomunikacionit. Shohim sot shumë kompani call-centerash që duan të behen data centers. Fokusi i bulevardit të ri, që tashmë është hapur deri në fund, kanë ngelur edhe katër godina të fundit për sheshin fundor që është në simetri me sheshin “Nënë Tereza”, besoj që do të jetë realisht e merituar. Kryesisht kanë kërkuar ambiente zyrash dhe hotelesh me 5 yje që duan të ekspandojnë në atë zonë dhe besoj që do të drejtpeshohet dhe nga ana e volumit të ndërtimit do të drejtpeshohet Tirana drejt veriut, ndërkohë që sot ne kemi një mbipopullim të pjesës jugore të qytetit”, tha Veliaj.

Por projekte të rëndësishme e presin qytetin edhe në pjesën perëndimore të tij, i cili vitet e fundit ka marrë një vëmendje të shtuar.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se krahas bulevardit të ri dhe zgjerimit të Lanës në drejtim të Shkozës, do të zgjerohet Lana edhe në pjesën perëndimore paralel me Astirin. “Keni vënë re që Lana është afruar në Shkozë po mbaron rrethrrotullimi edhe kush merret me ndërtime ka parë se si ka dalë në dritë dhe në fakt jo vetëm që si ka rënë fatkeqësia, por i ka rënë bingo gjithë zonës që është zgjeruar Lana në drejtim të Shkozës dhe të Lana Bregasit. Sot sapo kemi marrë konfirmimin final nga Banka Europiane e Investimeve që ata do të financojnë zgjerimin e Lanës tani në pjesën perëndimore, do të thotë paralele me zonën e Astirit, një projekt fantastik. Kështu që një zonë tjetër besoj atraktive për të gjithë ata që janë në fushën e shërbimeve apo të strehimit do të jetë Unaza e Astirit edhe Lana që do të vazhdojë me të njëjtin model, 3 korsi bulevard për tu siguruar që kompletohet komplet aksi nga bulevardi dhe lumi i Lanës”, deklaroi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb