Të dashur bashkë-studentë,


 

Nuk mendoj një mënyrë më të mirë, më të drejtë e më të sinqertë për të nisur këtë letër sesa duke thënë këtë: kanë qënë ditë të vështira.

Unë Tedi Deraj, 21 vjec, student i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës nuk do t’ju them se të qenurit student, student në Shqipëri, është e thjeshtë, përkundrazi.

Jam FRESSH-ist,

Jam FRESSH-ist por nuk jam hipokrit. Kur rastësisht në ndonjë grup ose tavolinë hapet tema e kushteve nëpër universitete, imazhi i parë që më vjen në mëndje janë leksionet në mes të Dhjetorit, ku njëri-tjetrin e identifikonim nga ngjyra e shallit ose nga modeli i xhupit  te domosdoshëm për të duruar të ftohtin nëpër auditore.

Jam socialist dhe jam realist,

Një nga shqetësimet më të mëdha ishte kur afronte sezoni dhe në provim duhet të jepnim dhe lëndë ku pedagogu më shumë se lektor dukej si legjendë urbane, më shumë në fantazitë tona sesa në klasë.

Portali i notave, muhabet më vete, një biçim llotarie që lum kush e godiste, cilën ditë do punonte e cilën jo.

Për mos t’u zgjatur më shumë, një sistem arsimor, ku pavarësisht përpjekjes intensive që po bëhet, do akoma shumë punë.

 

Tashmë dy vite, përmes Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë, punoj me strukturat e studentëve.  Me studentë të çdo fakulteti, studentë të qyteteve dhe profileve të ndryshme. Studentë që mbeshteten fort tek familja e studentë që shtyllë të vetme kanë veten. Studentë që kanë sakrifikuar për të dhënë më të mirën nga vetja, jo vetëm për vete por edhe për të tjerët.                                                      Gjatë këtyre 24 muajve, kam pasur mundësinë të njoh studentin ekselent, pakaluesin, atë që në kafe shërbehet e atë që në kafe shërben, të turpshmin dhe te shkathëtin, çunin e “Rrugës së Durrësit” por dhe shokun e ardhur nga larg.

Si pjesë e grupit të studentëve të FRESSH, përpiqem bashkë me ta, që vazhdimisht të nxisim iniciativë midis bashkëmoshatarëve tanë, të jemi katalizator i një fryme të re.

Nga ky këndvështrim jam shumë i lumtur që shoh kaq shumë studentë bashkë, të frymëzuar dhe të vendosur për një kauzë që me të vërtetë i’u prek interesat.

Një kauzë e ngritur dhe e mbështetur nga studentët, është gjithmonë një kauzë e drejtë. Por ç’ka ka më shumë rëndësi në këtë moment, është ç’do bëhet me këtë kauzë.

Tipar i veçantë i kësaj proteste ishte pastërtia në thelb! Pastërti e cila, mes përpjekjeve të pista, e mes gjithë kthetrave e tentakulave që po i aviten, rrezikon të humbas, të kapet, të përlyhet.  Dhe sot me të drejtë duhet të bëjmë këtë pyetje: A është proesta e studentëve akoma e studentëve? Në njërën anë kemi studentët që përpara ministrisë artikulojnë kërkesat që aq shumë i besojnë, në anën tjeter Kërriçët e Kërrbaçët, Ervinjtë e Ballinjtë, dhe ata që Qorr-azi përplasen nga kauza në kauzë e presin të fshehur tek cepi që idealin studentor ta kthejnë në kapital politik. të parët duan zgjidhje të dytët zhurmë.

Mundësia për të bërë diçka madhore është më reale se kurrë!

Koha dhe rrethanat na krijojnë shancin e artë që të arrijmë ç’ka duam dhe na duhet, jo domosdoshmërisht me revolucion, kur të gjitha mundësitë na paraqiten për evolucion. Ndryshimi midis të dyjave është më i madh sesa thjeshtë një “r”. Njëri nxit “përmbysje” e “prerje kokash”, dhe një skenë të hapur për sharlatanë të rinj. Tjetri ofron inovacion, prespektivë, shpresë.

E vetmja mënyrë për të arritur këtë gjë është duke qënë bashkë, të gjithë, dhe Ministria me ne. E vetmja rrugë është dialogu. Ky është një shans i artë për të gjithë ne! Jo për të negociuar, por për të ardhmen tonë e të brezave që do vijnë. Kemi mundësinë që bashkë të hedhim themelet mbi të cilat, po ne do ndërtojmë arsimin e lartë që meritojmë.

Sot vuajmë pasojat e një vargu njerëzish të cilët arsimin e kanë trajtuar si çifligun e tyre personal, dhe ata çifligar ndanin pronat e ofiqet sipas qejfit. Leshuan tarafet nëpër universitete dhe i pushtuan dhe ato. Nga institucione arsimi i kthyen në shtypshkronja letrash pa vlerë e njerëzish pa të ardhme. Aty ku duhet të ishin shpërndarësit e dijes u vendosën tregtarët e provimeve e fajdexhinjtë e notave. Nëse më përpara dora e këtyre çifligarëve ngrihej për të tundur bastunin e për të goditur këdo që fliste kundër, tani përpara nesh kemi një dorë të zgjatur për bashkëpunim

Sot falë guximit, pastërtisë dhe forcës së zërit tuaj, të gjithë, edhe ne që u ndrojtëm, dhe ne që u stepëm, dhe ata që nuk besuan, kemi mundësinë që të çojmë gjërat në vend, nëpërmjet bashkëpunimit, nëpërmjet dialogut.

Treguat për të gjithë që nuk jemi dele, siç rëndom thuhet për ne studentët, treguat që jemi qytetar, jemi e ardhmja e guximtë e këtij vëndi. Tani është momenti.  Nuk duhet të dorëzohemi, tek ata që duan të na përçajnë, të na devijojnë. Ata, të cilët me frikën e “ujkut” që na pret tek dera, duan të na fusin në vathë, ndërkohë që nën lekurën e deles së zezë, ujku janë ata!

Tashmë është momenti të korrni frytet e lavdisë tuaj, për ju aty, për ne që u ndrojtëm, për ata që nuk besuan.

Ky nuk është Dhjetori i dytë, ky është Dhjetori yt!

Sinqerisht Tedi Deraj, FRESSH-ist, por student!

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb