Ndërsa gjykata e Krimeve të Rënda pritet të japë verdiktin final për ish ministrin e brendshëm Saimir Tahiri ka bërë mbrojtjen para trupit gjykues, ndërsa nuk ka lënë pa shigjetuar edhe kolegë të tij, dikur në qeveri.


Edhe pse nuk përmendi emrin, ish ministri Tahiri, shigjetoi pasardhësin e tij në ministrinë e brendshme Fatmir Xhafaj ndërsa tha se ai po gjykohet pse shiti makinën, ndërsa të tjerë që i kanë vëllezërit trafikantë, nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.

“Ndodhem këtu si i pandehur se i shita makinën një personi, ndërkohë që njoh plot njerëz e ka plot të tillë që s’mbajnë përgjgje si edhe për vëllezër trafikantë. Jam i sigurt që të gjithë kemi nga një kushëri budalla, kriminel në fis, por askush nuk mban përgjegjësi. Ju po më mbani këtu për interesa që vetëm ju mund të mi shpjegoni” është shprehur Tahiri në sallën e gjyqit, raporton gazetarja Klodiana Lala.


Tahiri pretendoi sërsish sot në gjyq se nuk ka asnjë lidhje me Moisi Habilajn, si kreu i bandës kriminale, dhe anëtarët e tjerë të kësaj bande, duke këmbëngulur për drejtësi, që sipas tij, është pafajësia.


Saimir Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Ndaj tij prokuroria ka kërkuar dënimin me 12 vite burg, dënim i cili nëse do të pranohet nga trupi gjykues do të zbresë në 8 vite, për shkak se ish ministri ka kërkuar të hetohet me gjykim të shkurtuar.

(BalkanWeb)