Nga: KIÇO BLUSHI *

Afërmendsh, përveç faktit që këto dy thënie u shqiptuan në të njëjtën kohë, e para duke pushtuar e mbushulluar mbarë botën, ndërsa e dyta. vetëm Shqipërinë, duket sikur nuk kanë ndonjë lidhje të ndërsjellë kuptimore mes vedi. Megjithatë, nuk jam fort i sigurt nëse në rrjedhat e mbassodit të politikës shqiptare, surpriza e tre lapsave me ngjyrën e flamurit francez në xhepin e vogël, i të katër klerikëve tanë në Paris, në mjedisin tonë politik, n’daç edhe atë fetar e shoqëror do të kenë më tepër ndikim se autovideoja e mirëseardhjes së ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, zotit Donald Lu.
Nëse 11 shtatori i Zi ndryshoi botën e kryesisht SHBA, nuk ka dyshim që po aq do të ketë ndikim e trysni edhe 7 janari tragjik i Parisit, kryesisht për Francën, rrjedhimisht edhe për BE. Por, pavarësisht fjalimeve dhe diskutimeve të pafundme që anashkaluan e mbuluan këto ditë të gjitha problemet e vendit e të shoqërisë sonë, dyshoj se edhe 7 janari, ashtu si dhe 11 shtatori, shumë shpejt do t’i përkasin arkivit, kujtesës sonë të ftohtë sa herë bëhet fjalë për ngjarjet e një kontinenti tjetër, të një bote, e cila ndonëse e globalizuar dhe e internetizuar na duket e largët, e huaj, duket sikur nuk ka lidhje direkte me fatin dhe me interesin tonë të atypëratyshëm. Ja përse ka gjasë që “Unë jam Donald Lu” ka për të mbetur e për të qenë një zë ku e ku më i dëgjueshëm, më vendimtar e, kuptohet, edhe më rëndësor se “Unë jam Charli Hebdo”.
Por pavarësisht se ç’bëma ogurzeza kanë bërë vaki në këto dhjetëvjeçarë në Shqipëri, falë keqqeverisjes, pavarësisht se ashtu si ka pas ndodhur rëndom me të gjithë pararendësit e ambasadorit Donald Lu, shumica e të cilëve, sidomos  pas ‘97-ës, duke përjashtuar vetëm zotin Rajerson, kanë ikur nga Shqipëria me “hije” (nj’ashtu si iku zoti Arvizu dhe Uidhers…), fjala e zotit Donald Lu gjithsesi ka për të qenë po aq vendimtare, në mos ca më tepër, pas ngjarjeve të 7 janarit.
Ndaj shumëkush ndër ne është më i interesuar të dijë e të kuptojë sadopak se ç’na ka sjellë vallë kësaj here “valixhja diplomatike” e ambasadorit të Uashingtonit, se sa mesazhet e politikanëve tanë për marshimin e Parisit.
Bash për këtë arsye, jo vetëm për besëtytni ballkanike, por për një mendësi që zotëron prej shekujsh botën orientale të Ballkanit Perëndimor, ku më shumë u besohet shenjave se fjalëve, ku konflikti merr më tepër vlerë e peshë se marrëveshja, ku lufta mes palëve vlen më shumë se paqja, ku armiqësia dhe urrejtja çmohen si shenjë burrërie më shumë se pendesa, falja apo dashuria, që iu atribuohen të dobëtëve. Ndaj, sapo vuri këmbën në Rinas, zotit Lu iu shtrua pyetja dramatike: ke shkelur në tokën tonë të “shqiponjave” me këmbën e djathtë apo të majtë? Sigurisht që kjo pyetje nuk ka për të marrë përgjigje e, me siguri, as nuk do të lejohet të nënkuptohet në ditët e para të qëndrimit të ambasadorit të ri amerikan në Tiranë. Në raste trazirash e përplasjesh të pritshme qeveri-opozitë, që, edhe pas ndërprerjes së bojkotit me një marrëveshje të detyruar nga ndërkombëtarët, gjasat janë që deklarata të tilla: “ky është burrë shteti” për njërën apo tjetrën palë të mos artikulohen më. Por kjo nuk ka për t’ia lehtësuar e thjeshtuar sadopak punët zotit LU.
Kësisoj ai do ta ketë të vështirë, në mos të pamundur, ashtu si pararendësit, që në situata tejet dramatike dhe mosmarrëveshjesh të pashmangshme (si ishte 21 janari e si Gërdeci, pa përmendur 14 shtatorin…) të detyrojë Ramën dhe Bashën të dalin në një marshim paqësor të dy, dorështrënguar, sikundër doli presidenti Holland me ish-in e tij, zotin Sarkozi. Dikush mund të më kundërshtojë me të drejtë e të thotë se Franca u rrezikua më 7 janar nga terrorizmi ndërkombëtar. Vërtet, kështu është, po a nuk ishin edhe kriminelët e “Charlit” me nënshtetësi franceze? Dhe, për më tepër, ç’ndryshim ka terrorizmi “islamik” nga ai shtetëror i 21 janarit para selisë së qeverisë, ku u vranë katër qytetarë vetëm pse ata po protestonin. Ashtu si dekomunistizimin u premtua që do ta bënin me gjasë ish-komunistët fanatikë, si do të kryhet dekriminalizimi i politikës nga vetë ata që e kanë kriminalizuar atë gjatë një çerek shekulli?
***
Ne i mburremi me të drejtë botës me tolerancën fetare. Po a duhet të mburremi teksa bëjmë aq pak për të pasur paqe sociale mes vedi? Sidomos pas ardhjes së Papa Françeskut dhe pas parakalimit spektakolar të katër klerikëve në bulevardet e Parisit, kjo lloj mburrjeje që po bën politika ka kapur majat. A thua se këtë mrekulli na e kanë sjellë si dhuratë krerët aktualë.
Kjo bashkëjetesë deri më tani fatmirësisht e pakërcënuar (por, si na paralajmëroi me të drejtë kryeministri: gjithsesi e rrezikuar), nuk është meritë e asnjë qeverie, ndaj askujt syresh nuk i takon të mburret me këtë realitet të trashëguar. Sepse në çdo shoqëri normale, aq më tepër ajo që pretendon të jetë e të bëhet demokratike, qeverive, politikanëve, kryeministrave e ministrave, po edhe klerikëve të lartë fetarë, të të gjitha ngjyrave, u takon të vendosin e të garantojnë paqe, mirëqenie dhe mirëkuptim… Kështu, pas kthimit të tyre nga Parisi, a nuk do të ishte më e udhës sikur të gjithë së toku, krah për krah, të bënin një marshim paqësor në veri për të shuar gjakmarrjen e për të nxjerrë nga ngujimi mbi njëmijë fëmijë?
Përndryshe, politika nuk ka asnjë vlerë. Madje as dogmat dhe predikimet fetare. Përndryshe, edhe çuarja e klerikëve në Paris, më 7 janar, (si dëshmi e tolerancës sonë të pashembullt fetare!), me këtë konfliktualitet të pasosur e absurd, me këtë urrejtje të ndërsjellë, të kontaminuar kryesisht e qëllimisht nga krerët e politikës, ka për të ngjarë në mos si një butafori shtinjake, rrezikohet të  përfundojë, herët a vonë, si pasuritë minerare, ujore, pyjore, njerëzore, intelektuale, apo edhe si vlerat e trashëgimisë kulturore e historike, nj’ashtu si dikur minerali i bitumit që e nxirrte dhe e merrte Franca në Selenicë të Vlorës që nga koha e Ali Pashës për të shtruar bulevardet e saj, teksa te ne nuk kishte rrugë as për dhentë e as për dhitë.
Kjo ditë, -që mos ardhtë kurrë!- ka për qenë shkelmi i fundit që do t’i japim vetes për të rënë në hendekun e mbramë të historisë.
Ja përse te ne hë për hë ka më tepër vlerë: “Unë jam Donald Lu”, se sa: “Unë jam Charli”. Sepse, tekefundit, fjala dhe sjellja e një ambasadori amerikan te ne, për shkak të mosbesimit të shtuar te klasa politike, varfërisë dhe krizës morale, ende ka më shumë peshë se fjala e karikaturave të Charlit. Për të mirë apo për të keq, duam apo nuk duam, ky është realiteti.

 

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: