Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vendosur të shtyjë seancën në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për në datë 19 shtator.

Tahiri, në një dalje për mediat deklaroi se akuzat që ngre Prokuroria janë absurde dhe bazohen në përgjime banale. Ai tha se akuzohet se ka bërë trafik droge në kohën që drejtonte policinë në luftën kundër drogës në Lazarat dhe sipas tij, këto dy gjëra nuk mund të shkojnë bashkë.

“Unë kisha 29 ditë në detyrë. Trafikantët kanë thënë se unë paskam shpenzuar 20 milionë euro në një fushatë. Kjo është absurde. Ky është thashethemi i dy njerëzve, është ordinere akuza. Edhe qytetarët e thjeshtë do të dilnin në përfundimin se këtu s’ka asgjë e jo më prokurorë të Krimeve të Rënda. Prokuroria ka bërë kontrolle pasurie dhe nuk ka nxjerrë asgjë të keqe. Ata më akuzojnë për trafik droge në një kohë që luftonim Lazaratin. Si mund të luftoja trafikun e drogës dhe në anë tjetër të kultivoja drogë vetë. Mos harroni luftën që kam bërë për të shuar kanabisin në këtë vend. Është gënjeshtër e madhe. Jaeld Cela prsh s’ka qenë as drejtor dhe as polic në Vlorë. Ata thonë se keni bërë trafik bashkë. Nuk kam asnjë kontakt me personat e akuzuar”, tha Tahiri.

Saimir Tahiri nënvizoi se sa ka ai dijeni, radarët nuk mund të fiken dhe se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për akuza që lidhen me trafik droge.

“Unë e di se radarët nuk mund të fiket. Prokuroria le të vijë dhe të thotë. Unë e them jo dhe jo nuk ka ndodhur kurrë që të fiken radarët. Nuk fiket radarët sepse nuk ka një palë çelësa. Prokuroria vetëm hamendëson. Unë kam qenë ministër i Brendshëm për më shumë se 4 vjet. Kam bërë të pamundurën që të luftoj kriminalitetin në mbarë Shqipërinë. Kam bërë të pamundurën që kriminaliteti të ulet. E kam bërë edhe duke iu sulur drejtësisë. E kam bërë sepse e kam besuar se qytetari përleshet keqas me këtë drejtësi. Kur drejtësia më denoncon mua, imagjinoni se çfarë mund të bëhet me një qytetar të thjeshtë”, tha ish-numri një i Ministrisë së Brendshme.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb