NGA ARMAND BAJRAMI*
E lexuat mire. Vodha. Nuk e kisha bërë asnjëherë. Sot përjetova tundimin që i ndodh njeriut për të marrë atë që nuk është e tij. Vodha plehrat e komshies.
I kishte lënë aty në shkallë. Një kat poshtë meje. Nuk ishte hera e parë. Herët e tjera i nxjerr me atë qesen e zeze standarde, të pështirë, të pabukur për syrin. Nga ato që kuptohet që larg që mban bërllog brenda.
Sot jo. I kishte paketuar për merak. Ishin tre-katër qese të futura tek njëra-tjetra. Logot dhe dizajnet në to ishim mbivendosur duke krijuar një vepër të vertetë arti. Mozaik ngjyrash. Një instalacion, si ai i një artisti kontemporan me të ardhme të ndritur.
Mbajta vesh mos kishte njeri rrotull. E kapa qesen pa e ulur vështrimin. Pastaj u largova me hap normal. Eca i shpenguar si një profesionist i vërtetë.
Nuk i rashë askujt në sy. Tërhoqa vëmendje vetëm kur e shuka me force tek koshi i plehrave. Atë të një qeni që ishte tek koshi ngjitur. Kërceu pupthi se u tremb. Më trembi dhe mua.
Buzëqesha. Qeni nuk flet, mendova. Nuk ka si t’i tregojë kujt. Shkalla ime nuk ka kamera sigurie. Sendi i vjedhur u hodh në kosh. Provat u zhdukën.
Komshija nuk do ta gjejë kurrë hajdutin…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: