Dhuna në shkolla, në të gjitha format e saj, është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve për arsim, shëndet dhe mirëqenie. Asnjë shtet nuk mund të arrijë një edukim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë, nëse nxënësit përjetojnë dhunë apo bulizëm në shkollë.

Kështu shkruan raporti i fundit i UNESCO-s me titull: “Pas shifrave: Fund dhunës në shkolla dhe bulizmit psikologjik dhe bulizëm seksual”.

Në Shqipëri, përqindja e nxënësve që kanë raportuar se janë dhunuar apo që pranojnë se kanë përjetuar bulizëm është 19.9%, 22.6% tek djemtë dhe 17.3% tek vajzat.

Shifrat janë më të larta te 11-vjeçarët, ku sipas raportit rreth 23.8% kanë pranuar se kanë përjetuar bulizmin apo dhunën në shkollë në një nga format e tij, 13-vjeçarët, 20%, ndërsa 15-vjeçarët 16.1%.

Raporti i UNESCO-s thotë më tej se thuajse një në tre nxënës në botë, në total 32 për qind, kanë përjetuar bulizmin nga shokët e klasës të paktën një herë vetëm gjatë muajit të fundit.
Europa rezulton me përqindjen më të ulët të nxënësve që kanë përjetuar bulizëm në shkollë, 25%. Në Amerikën e Veriut, 31.7%; Afrikën e Veriut 42.7% dhe Lindja e Mesme 41.1%. Ndërkohë sipas raportit, citohet se dhuna seksuale është forma e dytë më e përhapur e bulizmit në shumë rajone.

Bulizmi fizik është më i përhapur mes djemve, ndërsa ai psikologjik më i përhapur mes vajzave. Raporti vlerëson e një ndër faktorët e rëndësishëm që ndikon në bulizëm është edhe mosha. Djemtë dhe vajzat më të vegjël kanë më shumë shanse të bien pre e bulizmit sesa ata në moshë më të rritur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb