Shumica e kosovarëve që po lëshojnë Kosovën, ka të bëjë me ikje nga varfëria, thotë zëdhënësi i misionit të UNHCR-së në Hungari, Erno Shimun. Ai ka thënë se për gjetjen e zgjidhjes së kësaj çështje duhet të diskutohet në nivel evropian.
“Sipas përvojës sonë, largimi i kosovarëve ka të bëjë me varfërinë”, ka thënë Shimun në një intervistë dhënë për agjencisë MTI. Për këtë arsye, ai ka thënë se autoritetet në Hungari kanë vendosur që të mos japin azil për kosovarët.

Shimun ka shtuar se shumë kosovarë me fëmijët e tyre po lëshojnë vendin gjatë dimrit, sepse janë të ‘pashpresë’.

Përveç varfërisë, që është një ndër arsyet kryesore të largimit të kosovarëve, ai përmend edhe një çështje, atë të komunitetit rom, të cilët largimin e arsyetojnë duke thënë se janë të diskriminuar dhe të frikësuar për jetën e tyre në Kosovë.

“Çështja e Kosovës ndikon në gjithë Evropën, prandaj për këtë arsye, për gjetjen e zgjidhjes duhet të diskutohet në nivel evropian”, ka shtuar zëdhënësi i UNHCR-së, raporton Zëri.

Shimin ka bërë të ditur se UNHCR-ja është duke punuar me autoritetet hungareze në baza ditore dhe se për adresimin e kësaj çështje do të bashkëpunojë edhe me organizatat civile.

Ai kujton se UNHCR, është i pranishëm edhe në Kosovë dhe po monitoron situatën, sikurse edhe në Serbi, përmes të cilit vend emigrantët po shkojnë për në Hungari.

“Ne rregullisht vizitojmë kufijtë, dhe mundohemi që të bisedojmë me emigrantët dhe të kuptojnë situatën e tyre”, ka thënë ndër tjerash zëdhënësi i UNHCR-së.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: