Përfaqësuesi i UNICEF në vendin tonë, Roberto De Bernandi, vlerësoi Bashkinë e Tiranës si një partner të rëndësishëm dhe të besueshëm ku mund të mbështetet në realizimin e projekteve të përbashkëta për mirëqenien e fëmijëve, por jo vetëm.

“Besoj dhe do e bëj me shumë kënaqësi dhe krenari si përfaqësues i UNICEF, dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe administratën e Bashkisë për organizimin e sotëm, por më shumë rëndësi se kaq, gjithë stafin e saj për mirëmenaxhimin e mirë në lidhje me mirëqenien e fëmijëve dhe me interesin e fëmijëve. Faleminderit që UNICEF mund të mbështetet në një partner kaq të rëndësishëm. Pasi organizata jonë ëshë sigurisht e fokusuar tek të drejtat e fëmijëve”, tha Roberto De Bernandi. Përfaqësuesi i Unicef prezantoi edhe rezultatet e një anketimi ku shumica e të rinjve e vlerësonin Tiranën si një qytet miqësor. “Në një sondazh të realizuar së fundmi, Tirana është vlerësuar si një qytet miqësor me të fëmijët. Në videomaterialin e prezantuar, disa prej të intervistuarve vlerësuan mobilitetin”, deklaroi ai.

Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Danaj ftoi edhe bizneset që të përshtasin ambientet e tyre për të qenë sa më miqësore për fëmijët. “Ky është një partnership mes tre pjesëve që kontribuojnë në komunitet: Ministria e Financave, bashkia dhe vetë komuniteti. Është e rëndësishme çfarë ka bërë qeveria në këto vite në fusha të ndryshme, dhe do të përmendja decentralizimin. Është e rëndësishme që ne në këtë projekt decentralizimi të vendosim objektiva, dhe të masim performancën. Në këtë konferencë ne do të mësonim se cilat do të ishin kriteret për ta bërë qytetin edhe më miqësor me fëmijët. Do të ftoja bizneset të shihnin këtë qasje sot, dhe të shohin se çfarë mund të bëjnë që të kthejnë ambientet e tyre në sa më të përshtatshme për fëmijët”, tha Danaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb