Të paktën 83 fëmijë, pjesa më e madhe sirianë, janë vrarë gjatë janarit, muaji më i përgjakshëm në konfliktet që kanë përfshirë vendin e tyre në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, theksoi sot UNICEF.

“Intensifikimi i dhunës në Irak, Libi, Siri, në shtetin palestinez dhe në Jemen ka pasur pasoja shkatërruese për jetën e fëmijëve”, theksoi në një komunikatë drejtori rajonal i UNICEF për këtë rajon, Geert Cappelaere.

“Vetëm në muajin janar, të paktën 83 fëmijë janë vrarë (…) në konflikte, sulme kamikaze ose kanë humbur jetën nga i ftohti duke u arratisur nga zonat e luftës”, nënvizoi ai.

“Bëhet fjalë për fëmijë, fëmijë! (…) që kanë paguar çmimin më të lartë për luftërat, për të cilat nuk janë përgjegjës”, shtoi Cappelaere.

“Në Siri, ku lufta ka nisur që prej 2011, 59 fëmijë janë vrarë gjatë katër javëve të fundit”, sipas UNICEF.

Në Jemen, 16 fëmijë kanë humbur gjithashtu jetën nga sulmet në këtë vend të Gadishullit Arabik në kaos, në fronte të ndryshme.

“Në Benghazi, në lindje të Libisë, tre fëmijë janë vrarë në një sulm kamikaz dhe tre të tjerë ndërkohë që luanin pranë një lënde plasëse”, sipas komunikatës.

“Në Liban, 16 refugjatë sirianë, katër prej të cilëve fëmijë, që po largoheshin nga vendi kanë humbur jetën nga i ftohti gjatë një stuhie”, shtoi UNICEF.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb