Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) vlerëson se rreth 38.000 fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë, nuk do të vijojnë mësimin më 1 shtator.


Nga gjithsej, 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuara, sa vlerësohet të jenë në Kosovë, vetëm 5.300 prej tyre vijojnë mësimet në shkollat e rregullta, thotë organizata.


“Meqenëse arsimi ndërlidhet ngushtë me vende më të mira pune, jetë të shëndetshme, siguri sociale dhe ekonomike dhe mundësi për pjesëmarrje të plotë në shoqëri, ne e dimë që fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilëve iu mohohet e drejta për arsim, kanë gjasa të përjashtohen edhe nga shoqëria”, thuhet në një komunikatë të UNICEF-it.


Organizata thotë se “pavarësisht ndërtimit të vazhdueshëm të objekteve shkollore që janë të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, një grup i konsiderueshëm i objekteve të vjetra pa tualete të duhura, me laboratorë në katin e dytë dhe pa pjerrina, mbeten pengesë për realizimin e të drejtës për arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuara”.

Shefi i Zyrës së UNICEF në Prishtinë, Murat Sahin, i ftoi institucionet e Kosovës që të ndajnë burime të mjaftueshme për punësimin dhe trajnimin e më shumë mësimdhënësve dhe asistentëve, duke ofruar mbështetje shtesë për pajisje dhe hapësira të specializuara dhe përfundimisht duke lehtësuar hyrjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës.

UNICEF-i ka zhvilluar një anketim me më shumë se 5.000 të rinjë nga e gjithë Kosova mbi perceptimin e tyre për bërjen e arsimit të qasshëm dhe gjithëpërfshirës për fëmijët.

“59 përqind e të rinjve u përgjigjen se: shoqëria në Kosovë përgjithësisht nuk është gjithëpërfshirëse. Po ashtu, 39 përqind e të rinjve identifikuan mentalitetin përjashtues të shoqërisë si barriera më e madhe për gjithëpërfshirjen”, thuhet në komunikatën e UNICEF-it.