Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra, ose një ndër tetë në mbarë botën, kanë përjetuar përdhunim, ose abuzim seksual para moshës 18 vjeç, tha të mërkurën UNICEF, Agjencia e OKB-së për Fëmijët.
Kjo shifër arrin në 650 milionë, ose një ndër pesë, nëse llogariten format “pa kontakt direkt” të dhunës seksuale, si abuzimi në internet ose ai verbal, njofton UNICEF-i në sondazhin e parë global të këtij lloji. Sipas raportit, ndërsa vajzat dhe gratë janë më të prekurat, 240 milionë deri në 310 milionë djem dhe burra, ose rreth 1 ndër 11, kanë përjetuar përdhunim ose sulm seksual gjatë fëmijërisë.
“Shkalla e kësaj shkeljeje të të drejtave të njeriut është e jashtëzakonshme dhe ka qenë e vështirë që të vlerësohet plotësisht për shkak të stigmës, sfidave të dokumentimit të rasteve dhe investimeve të kufizuara në mbledhjen e të dhënave,” tha UNICEF-i në prezantimin e raportit.
Publikimi i tij vjen në prag të një konference globale për t’i dhënë fund dhunës kundër fëmijëve që do të mbahet në Kolumbi muajin e ardhshëm. UNICEF tha se përfundimet e raportit nxjerrin në pah nevojën urgjente për një veprim të intensifikuar global, përfshirë forcimin e ligjeve dhe ndihmën ndaj fëmijëve në mënyrë që ata të njohin dhe raportojnë dhunën seksuale.
UNICEF thotë se dhuna seksuale i kapërcen kufijtë gjeografikë, kulturorë dhe ekonomikë, por shton se Afrika Nën-Sahariane ka numrin më të madh të viktimave, me 79 milionë vajza dhe gra të prekura, ose 22%.
Azia Lindore dhe ajo Juglindore pasojnë me 75 milionë, ose 8%. Në të dhënat për gratë dhe vajzat, UNICEF vlerësoi se 73 milionë, ose 9%, ishin të prekura në Azinë Qendrore dhe Jugore; 68 milionë, ose 14%, në Evropë dhe Amerikën e Veriut; 45 milionë, ose 18%, në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe 29 milionë, ose 15%, në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore. Rajoni i Oqeanisë, me 6 milionë, kishte numrin më të madh të prekur nga përqindja, me 34%. Rrezikshmëria më e lartë, me 1 ndër 4 vajza ose gra të prekura, ishte në “mjedise të brishta”, përfshirë ato me institucione të dobëta, ku janë të vendosura forca paqeruajtëse të OKB-së ose me një numër të madh refugjatësh, sipas raportit. Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it Catherine Russell e quajti dhunën seksuale ndaj fëmijëve “një njollë në ndërgjegjen tonë morale”.
“Shkakton trauma të thella dhe të qëndrueshme, shpesh kryhet nga dikush të cilin fëmija e njeh dhe e beson, në vende ku duhet të ndihet i sigurt”, tha zonja Russell. UNICEF-i tha se rastet më të shumta të dhunës seksuale mes moshave të mitura, ndodhin gjatë adoleshencës, veçanërisht midis moshës 14 dhe 17 vjeç, dhe ata që e vuajnë atë ekspozohen janë më të prirur të preken nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, abuzimi me alkool dhe drogë dhe probleme të shëndetit mendor.
“Pasojat amplifikohen kur fëmijët nuk e tregojnë menjëherë përvojën e tyre … ose e mbajnë plotësisht të fshehtë abuzimin,” thotë raporti, shkruan VOA.
UNICEF-i thotë se rritja e investimeve në mbledhjen e të dhënave është e nevojshme për të përcaktuar shkallën e plotë të problemit, duke pasur parasysh mangësitë e vazhdueshme të të dhënave, veçanërisht për djemtë.
UNICEF-i tha se i ka bazuar vlerësimet për përvojat e vajzave dhe grave në sondazhet kombëtare të kryera në periudhën 2010 – 2022 në 120 vende dhe rajone. Ndërsa vlerësimet për djemtë dhe burrat janë bazuar në një gamë më të gjerë burimesh për të dhënat dhe tek disa metoda indirekteM