Banka e Shqipërisë ka dhënë zyrtarisht miratimin paraprak për zotërimin e 100% të aksioneve të kapitalit aksionar të Bankës Ndërkombëtare Tregtare sh.a (ICB). nga Union Bank sh.a. Aprovimi i bankës qendrore në lidhje me këtë marrëveshje mes dy bankave të nivelit të dytë, vjen në një linjë me autorizimin e Autoritetit të Konkurencës dhënë në muajin janar.

Me një eksperiencë mbi 10 vjeçare, Union Bank është një emër i konsoliduar në tregun bankar vendas. Nëpërmjet menaxhimit të suksesshëm të aktiveve dhe investimeve, Union Bank ka realizuar vit pas viti rritje të qëndrueshme të treguesve të saj financiarë. Së fundmi gjatë vitit 2018, Aktivet Totale kaluan shifrën 50 miliardë Lekë; asetet, kreditimi dhe kthimi në kapital patën rritje dyshifrore. Rezultatet e arritura, janë premisa pozitive që Union Bank të vazhdojë në rrugën e suksesit. Me blerjen e ICB, përveç rritjes në asete, Union Bank synon të rritë prezencën e saj në treg, në numër klientesh dhe në numër degësh.

Banka Ndërkombëtare Tregtare është një nga bankat e para në Shqipëri. Ajo operon në tregun shqiptar që prej vitit 1997 dhe ka një numër klientësh të përqëndruar në disa qytete kryesore të vendit.

Në këtë moment të veçantë për të dyja bankat, Union Bank vlerëson angazhimin profesional të punonjësve të ICB Albania dhe garanton të gjithë klientët e saj se në Union Bank ata do të përfitojnë produkte të reja dhe shërbime shtesë, të ofruara gjithmonë nëpërmjet një shërbimi cilësor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb