Union Financiar Tiranë (UFT) njoftoi se ka kryer transaksionet e para nëpërmjet Open Banking. Ky zhvillim u mundësua në kohë rekord pas marrjes së licencës për Open Banking nga Banka e Shqipërisë, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Union Bank që i hapi rrugën këtij inovacioni të madh për tregun shqiptar. Procesi po vijon me finalizimin e procedurave edhe me bankat e tjera të nivelit të dytë.

Përmes Open Banking, UFT, kompania lider në tregun e shërbimeve financiare në Shqipëri, tha në një njoftim zyrtar se do të zgjerojë gamën e përfitimeve për klientët dhe bashkëpunëtorët, duke mundësuar shërbime më të shpejta e më të thjeshta për individët dhe bizneset.
Bankingu i hapur është një risi në praktikat bankare bashkëkohore, që u mundëson qytetarëve të aksesojnë të dhënat e llogarisë së tyre dhe të inicimit të pagesave nga bankat dhe institucionet e tjera financiare, nëpërmjet ofruesve të shërbimit të palëve të treta.

Në ndryshim nga bankingu tradicional, ku vetëm klienti dhe banka kanë akses në të dhënat financiare, bankingu i hapur iu jep mundësinë klientëve t’i ndajnë këto të dhëna në mënyrë të sigurt me një ofrues tjetër shërbimi për të shtuar përfitimet e klientëve nga përvojat inovative financiare.

UFT do ta mundësojë këtë shërbim përmes platformës më të madhe të pagesave online në Shqipëri, UPay, portofoli dixhital që ofron tashmë mbi 100 shërbime pagesash për individët dhe sjell shumë zgjidhje praktike për biznesin.
UFT tha se ka punuar për të përshtatur sistemet e saj në funksion të integrimit me sistemet bankare, çka i ka mundësuar të vërë në praktikë open banking.

Përmes OpenBanking, klientët e UPay do të kenë një opsion më shumë për të menaxhuar financat e tyre në llogaritë bankare, me siguri maksimale dhe kosto më të ulëta. Konkretisht, përdoruesi mund të marrë shërbimin e informimit të llogarisë, që i mundëson atij që të hyjë në aplikacionin UPay dhe të konsolidojë të gjitha llogaritë bankare që ka në banka të ndryshme. Së dyti, përdoruesi mund të kryejë shërbimin e inicimit të pagesës, që të jep mundësinë që nga njëra llogari e një banke X të bëjë një transfertë për përfituesin përkatës te banka Y, direkt nga aplikacioni Upay, pa pasur nevojë që të hyjë në shërbimin online të bankës përkatëse.

Siç ka vlerësuar dhe Banka e Shqipërisë, në qendër të iniciativës së OpenBanking qëndron qytetari, për t’i dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje që të kryejë pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Kjo përqasje është në linjë me filozofinë e kahershme të Union Financiar Tiranë, i cili prej 30 vitesh ka sjellë inovacion dhe transparencë me shërbimet e shpejta e të sigurta. Përmes këtyre shërbimeve të reja UFT synon të rrisë përfshirjen financiare të klientëve të saj, duke iu ofruar më shumë zgjidhje e lehtësi në aktivitetet e tyre të përditshme.

Union Financiar Tiranë (UFT) është agjenti i vetëm i Western Union Financial Services Inc. për Shqipërinë, që nga viti 1995 dhe Institucioni i Parasë elektronike. UFT operon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci dhe Zvicër. Gjatë afro 30 viteve të aktivitetit në Shqipëri, UFT ka ngritur rrjetin më të gjerë të pikave të ofrimit të shërbimeve financiare anembanë vendit. Me mbi 750 agjenci Unionnet – Western Union mundëson kryerjen e të gjitha pagesave vetëm në një sportel.

Gjithashtu, UFT ka hedhur ne treg platformën e pagesave online UPay, që ka sjellë zgjidhje dhe lehtësi si për individët, ashtu edhe për biznesin, duke u bërë një terminal pagesash për të gjithë bashkëpunëtorët dhe një portofol dixhital për të gjithë klientët që po na ndjekin në sfidat që sjell dixhitalizimi dhe zhvillimi i pandalshëm i teknologjisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb