Prej kohësh, në “Old Trafford” prisnin shkarkimin e Ten Hag, por largimi i holandezit dhe ulja në stol e Ruben Amorim nuk kishte asnjë efekt, me Man.United që vijon të lundrojë në ujëra të turbullta. Në këto kushte, merkato duket edhe një herë si “varka e shpëtimit”, me drejtuesit e klubit që pritet të lëvizin për t’i vendosur në dispozicion teknikut portugez ndonjë përforcim cilësor. Sipas mediave angleze, “djajtë e kuq” i janë rikthyer edhe një herë pistës Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian është në formë huazimi te Gallatasari, por në klauzolën e përfshirë i lejon të largohet nga Turqia për t’u transferuar në një klub të madh evropian, Man.United në këtë rast.
Sigurisht për të siguruar shërbimet e Osimhen, United duhet të paguajë jo pak por 75 milionë euro, aq sa është edhe klauzola e tij e largimit e vendosur nga Napoli pasi rinovuan kontratën. Napoli është gati të lë të lirë nigerianin pasi Conte dhe stafi i tij nuk e kanë në planë, por United kërkon të ul kostot duke përfshirë në negociata kartonin e Zirkzee. Jo vetëm Osimhen, një tjetër objektiv i Man.United është edhe Ederson i Atalanta-s. Braziliani vlerësohet nga ekipi bergamask me 60 milionë euro.